LAJMI I FUNDIT:

Industria me rënie në Eurozonë

Industria me rënie në Eurozonë

Prodhimi në industritë e Eurozonës ra poshtë pritshmërive në nëntor, duke konfirmuar të dhënat e dobëta kombëtare që kanë rritur shqetësimet për ekonominë në tremujorin e fundit të vitit 2018.

Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, publikoi një rënie me 1.7% të prodhimit industrial në 19 vendet e valutës së përbashkët gjatë nëntorit, duke ndjekur një rënie me 0.1% në Tetor dhe me 0.6% në shtator.

Nëntori solli performancën më të dobët që prej shkurtit 2016, ku prodhimi ra me 2.1%. Me bazë vjetore, prodhimi industrial ra me 3.3% në nëntor.

Pavarësisht se ishin negative, të dhënat nuk surprizuan pasi ndoqën publikimin e treguesve kombëtarë gjatë ditëve të fundit.

Gjermania, ekonomia më e madhe në Europë, pati një rënie me 1.9% të prodhimit industrial në nëntor nga muaji i kaluar.

Prodhimi ra gjithashtu ndjeshëm në Francë dhe Itali. Ekonomistët kanë parashikuar një rritje të ngadaltë ekonomike në 3 muajt e fundit të 2018-ës, pas një rritjeje me 0.2% në tremujorin e tretë dhe me 0.4% në të dytin.

Në nivel të Eurozonës, tkurrja erdhi kryesisht nga një rënie e madhe mujore me 2.3% në prodhimin e mallrave kapitalë, si makineritë, gjë që tregon për një rënie të perspektivës për investime.

Prodhimi i mallrave të qëndrueshëm të konsumit, si frigoriferat, ra me 1.7%, ndërsa prodhimi i mallrave afat-shkurtër, si veshjet, ra me 1%, për të tretin muaj radhazi. Prodhimi në energji pati gjithashtu rënie me 0.6% për muajin. /Telegrafi/