Inagurohet teleferiku i parë për shërbimin urban në Paris

Në jug të Parisit, pasagjerët këtej e tutje kanë mundësi të përdorin nje mjet tjetër për qarkullimin urban, teleferikun Câble C1.
Sipas menaxhuesit Île de France Mobilités, katër kilometra e gjysmë përbëjnë linjën më të gjatë urbane të teleferikut në Europë.
Në qytetin jugor Tuluzë ka një lidhje teleferiku në distancën tre kilometra.
Edhe në portin e Barcelonës apo në Londër vizitorët dhe banorët mund të përdorin teleferikun e qytetit, që përshkon distancë nga një deri në 1,3 kilometra mbi qytet.
Po ashtu edhe në rajonet malore të kontinentit ka shërbim transporti me teleferikë, që arrijnë distanca të ngjashme me atë të Câble C1 në Paris.
Në botë ka madje edhe disa relacione të njohura që përshkohen me teleferik si rrjeti në La Paz të Bolivisë apo në Medellin të Kolumbisë.
Linja e re në Paris përshkon pesë stacione. Ajo lidh banorët e komunave Villeneuve-Saint-Georges, Limeil-Brévannes dhe Valenton me rrjetin e metrosë së Parisit.
Në stacionin e trenit Créteil - Pointe du Lac pasagjerët mund të kapin korrespondencën për të vazhduar më tej udhëtimin me linjën 8 të metrosë drejt stacioneve Bastille, Place de la République ose Opéra Garnier në qendër të Parisit.
Një pjesë e itinerarit me teleferik vazhdon mbi lumin Senë drejt pjesës jugperëndimore të metropolit francez.
11.000 pasagjerë në ditë
Çdo ditë gondolat e teleferikut pritet të transportojnë rreth 11.000 pasagjerë. Në secilin vagon ka dhjetë vende.
Nga nisja deri në stacionin e fundit udhëtimi zgjat 18 minuta. Sipas shërbimit të qarkullimit urban nëse kjo distancë përshkohet me autobus do të duheshin të paktën 40 minuta.
Vendimi për projektin me një kosto 138 milionë euro u morr, sepse kjo zonë e Parisit përshkohet nga disa linja hekurudhore dhe akset rrugore janë të mbingarkuara.
Koncepti teknik është "frymëzuar nga gondolat në zonat e skijimit".
Parisi kësisoj ka teleferikun e parë modern, ndërkohë që në Arrondissmenet 18 që nga viti 1900, me organizimin e Ekspozitës Botërore në Paris u vu në funksionim Funiculaire de Montmartre.
Në atë kohë Funiculaire u konstruktua si teleferik, vagoni i sipërm i të cilit mbushej me ujë dhe pesha e tij tërhiqte vagonin e poshtëm.
Që nga viti 1991 kabinat qarkullojnë me një teknikë tjetër – me elektromotor – duke u ngjitur si një ashensor në pjerrësi në Montmartre. /DW/









































