LAJMI I FUNDIT:

Ilustruesja e dramave njerëzore në gjykatore

Ilustruesja e dramave njerëzore në gjykatore

Shumë pak njerëz e njohin, por e gjithë bota e njeh punën e saj. Marilyn Church është thuajse 80 vjeçare, por energjike kur kalon kordonin e policëve e rojeve për t’u futur në sallën e gjyqit, atje ku nuk lejohen kamerat e medias.

“Përpiqem të skicoj me sa më objektivitet çdo gjë që shoh”, thotë ajo.

45 vjet punë në gjykatë e kanë shndërruar apartamentin e saj të vogël në Nju Jorkut në një arkiv. Dhjetëra mijëra skica, dhjetëra mijëra drama njerëzore. Një proces kundër një fotografi që ndiqte me ngulm Jacqueline Kennedyn; procesi kundër aktorit Woody Allen kur u akuzua për abuzime seksuale; Gjyqi për divorc në 1991 mes Donald Trumpit dhe Ivana Trumpit, diçka që në atë kohë nuk mendohej se do të merrte vlerë dekada më pas…

Gazetarët presin daljen e saj nga salla me shpresën se do të jenë të parët të xhirojnë skicat që ka bërë.

Marilyni thotë se puna e saj nuk është kurrë e lehtë. Ka raste kur gjyqet zgjasin vetëm pak minuta dhe çdo skicë duhet përgatitur me ngut. Ajo ka krijuar teknikën e saj duke përdorur një cope letër me ujë.

“Marr një copë letër të njomur pak me ujë. Me atë e bëj skicën të duket si e punuar me bojëra uji, Nuk i zhugat ngjyrat, thahet shpejt”.

Gjatë gjyqit të mafiozit John Gotti, i akuzuar për vrasje, Marilyni në një moment e kap Gottin duke e parë drejt në sy, ndërkohë që ajo i studionte mimikën me dylbi për ta parë më qartë.

“Ktheva kokën për të parë se mendoja që po komunikonte me gazetarët, jo me mua. Por, të gjithë kishin ulur kokat e po shkruanin. I bëra me shenjë nëse e kishte me mua. Ai bëri me shenjë nga qafa që mund të interpretohet se nuk donte ta nxirrja me qafë të shëndoshë, ose një kuptim tjetër (të qeshura)”.

Qëkur ishte fëmijë, Marilynit i pëlqenin skicat në gazeta. Sot 4500 punime të saj janë në Bibliotekën e Kongresit dhe disa galeri të njohura shpresojnë t’i ekspozojnë. Por, për të skicat janë një kujtesë e vazhdueshme e vrasjeve dhe jetëve të shkatërruara: “Mendoj se do të më pëlqente të pikturoja kafshë dhe fytyra të bukura. Por vazhdoj me vrasës që më stresojnë kokën”.

Sado e rëndë që është puna e saj, Marilyn Church beson se është punë e nevojshme.

“Këto na shërbejnë për të ruajtur historinë. Mendoni për artin që është realizuar gjatë shekujve. Atë shohim që të kuptojmë çfarë ka ndodhur shekuj para se të vinte koha jonë”.

Për sa kohë që kamerat nuk lejohen në sallën e gjyqit, artistët si Marilyn Church do të vazhdojnë të dokumentojnë këto momente të historisë. /VoA/