LAJMI I FUNDIT:

Ilir Shaqiri – Kalorësi i Skënderbeut

Ilir Shaqiri – Kalorësi i Skënderbeut

Ditë më parë, me datën 14 gusht, 2017, një grup artistësh nga Kosova, u nisën për në Kalabri.

Muaj më parë kishte arritur ftesa nga komuna Shën Mitër – Corone, për pjesëmarrje në festivalin “Kënga arbëreshe”, për promovimin e romanit “Lemza e dheut”, të autorit Ilir Shaqiri dhe pesë koncerte, të cilat do të zhvilloheshin në komunat arbëreshe.


Delegacioni i përbërë nga grupi “Korona”, Prof. dr. Shyqri Galica (nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës), Dr. Besir Jashari (koordinator i grupit), Ilir Shaqiri, Maks Seferi dhe ekipi i RTK-së, u priten nga kryetari i komunës “Shën Mitër – Corone” Salvatore Lamirata, Sonia Guardilone dhe kantautori e shkrimtari arbëresh Pino Cacozza.

Më datën 16 gusht, 2017, në Ungro, kryepeshkopi kontinental i arbëreshëve Mons. Donato Oliverio organizoi pritje solemne për delegacionin, duke nderuar me mirënjohje Ilir Shaqirin, për kontributin e pashoq në përbashkimin e arbërorëve përmes krijimtarisë muzikore dhe letrare.

Më datën 17 gusht, 2017, në amfiteatrin e Shën Mitrit, u promovua romani “Lemza e dheut”, ku spikaten vlerësime të larta për këtë vepër, nga: Salvatore Lamirata, Sonia Guardilone, Prof. dr. Shyqri Galica (redaktor i veprës), Prof. Zef Kakoca (recensent i veprës).

Veçanti e këtij përurimi, ishte personazhi i romanit Max Seferi, i cili ndodhej aty, ku rrëfimi i tij para publikut zgjoi kërshërinë e arbëreshëve.

Pas përurimit të romanit “Lemza e dheut”, skenën e mbushën “Lulet e reja”, këngëtaret dhe instrumentistët arbëresh dhe grupi “Korona” nga Kosova. Koncert i përmallshëm i të dy grupeve! Kantautori Pino Cacozza drejtonte koncertin me një entuziazëm që ndihej përtej rrethojave të amfiteatrit. Profesionalizmi i grupit “Korona” i bënte arbëreshët që të mos i kursejnë duartrokitjet dhe brohoritjet (bravo…).

Një bravo e madhe ndodhi nga kosovarët, kur vashat arbëreshe kënduan bashkë me Ilir Shaqirin, këngën e Pavarësisë së Kosovës. Koncerti u mbyll me këngët “Ura mbi det” dhe “Jam arbëresh”, dy këngë të realizuara mjeshtërisht nga Ilir Shaqiri dhe Pino Cacozza.

I magjepsur nga mikpritja e arbëreshëve, Ilir Shaqiri shkroi këtë poezi mbresëlënëse:

QIRIRI I MOTIT
(Takim arbërorësh)

Në Shën Mitër, në mes të sheshit
marr një këngë, të bukurën fjalë,
jam në sofrën e arbëreshit,
pesëqind vjet na vlojnë në ballë!

Ligjëron ai, përhimnon
bukurimat e Moresë,
arbërisht kaltëron,
gjallon malit plot me besë.

Me një zë të bukur ngjitet,
me një fjalë të ëmbël zbret,
i shkrin shekujt i mat vitet,
shpalos vëllamërinë e vetë!

Si qiri i bukur dheu,
që ndez lotët shekujve të mortit,
gjak fisnikësh Skënderbeu –
vëllai arbëresh – qiriri i Motit!

Këngëpoetët zgjojnë katundet,
gdhendin vjershat nëpër mur,
historia vjen e shkundet,
mall, që nuk çmallet kurrë!

Ilir SHAQIRI – Kalabri

Kështu vazhduan përurimet dhe koncertet: në Shën Benedicht, Ungro, Çifti, Frasnitë dhe festivali i këngës arbëreshe në Shën Mitër, ku spikati krijimtaria e re në këngën arbëreshe, zëra të rinj, shumë premtues për të ardhmen.

Në përbërje të jurisë profesionale ishte edhe Ilir Shaqiri e Valton Beqiri, të cilët vlerësuan me nota maksimale interpretimin nga Maria Cristina, e cila fitoi këtë edicion të XXXVI të festivalit “Kënga arbëreshe” 2017.

Grupi nga Kosova u nderua me shumë mirënjohje e dhurata nga Kalabria, si: Çmimi i karrierës për grupin “Korona” për ruajtjen dhe kultivimin e këngës së pastër arbërore. Mirënjohje nga komunat dhe katundet ku u mbajtën përurimet dhe koncertet.

Nga kryetarja e “San Benedicht Ulano”, Ilir Shaqiri u nderua me çmimin “Kalorësi i Skënderbeut”, vlerësim që u bëhet figurave të larta arbërore. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Piruni

Piruni

Daut Dauti
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
IDIL I VDEKUR

IDIL I VDEKUR

Poezi
Sabahetja e Prishtinës

Sabahetja e Prishtinës

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Kalo në kategori