LAJMI I FUNDIT:

Ilievski: Sot është varrosur shteti i së drejtës, procedura disiplinore ndaj meje është e papranueshme

Ilievski: Sot është varrosur shteti i së drejtës, procedura disiplinore ndaj meje është e papranueshme

“Një mënyrë e këtillë e procedurës disiplinore, ku nuk lejohet opinioni dhe mediumet të jenë të pranishëm është e papranueshme. Sot është varrosur shteti i së drejtës”.

Me këto fjalë inspektori i lartë i arsimit Gjorgji Ilievski e filloi deklaratën e tij, para ndërtesës ku gjendet Inspektorati Shtetëror i Arsimit, pas seancës në të cilën u diskutua për përgjegjësinë e tij, përcjell Telegrafi Maqedoni.


Procedura për përgjegjësinë e Ilievskit u inicua pasi ai informoi se tre zyrtarë të BDI-së, janë avancuar në mënyrë joligjore në Universitetin e Tetovës dhe kanë marrë kompensime për shërbime intelektuale.

“Kam dashur publikisht të diskutojmë për funksionarët, të kemi njohuri edhe ne të tjerët. Siç kam treguar unë publikisht ajo që ka ndodhur me ministrin e Arsimit, zv.ministrin e Punëve të Brendshme dhe drejtorin për Pronësi Industriale, të cilët në mënyrë joligjore janë avancuar dhe kanë marrë mjete për shërbime intelektuale”.

“Mëkatin më të madh e kam bërë që kam ardhur tek ju si televizione, që e kam thënë të vërtetën, pse e kam paraqitur në Komisionin Anti-korrupsion, që kam dorëzuar përshkrime në Këshillin e Inspektorëve, që jam takuar me ambasadorin francez dhe ambasadën holandeze”, tha Ilievski, i cili për 6 muaj duhet të pensionohet.

Komisioni Disiplinor sot i propozoi drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, kundër të cilit Ilievski ka dorëzuar kallëzim penal, të vendosë brenda shtatë ditësh nëse do ta pranojë propozimin për masë disiplinore për inspektorin Gjorgji Ilievski.

Seanca e sotme u mbajt pas dyerve të mbyllura. Ndërsa procedura disiplinore u inicua pasi inspektori Ilievski njoftoi se zyrtarët publikë të BDI-së Arber Ademi, Agim Nuhiu, Safet Emruli, janë avancuar në mënyrë joligjore në Universitetin e Tetovës.

Procedura u inicua nga Afrim Saliu, kreu i sektorit të arsimit të lartë dhe procedura disiplinore për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore u dërgua me nënshkrimin e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, Tome Spirovski./Telegrafi/