LAJMI I FUNDIT:

Ikni rini, ju jeni më të mençur se prindërit tuaj

Ikni rini, ju jeni më të mençur se prindërit tuaj
Ilustrim

Sulejman Mehazi

Ikni, ikni rini e dashur, ju jeni më të mençur se ne. Mirë ua bëni prindërve, e meritojmë, pasi s’kemi qenë të aftë t’ua sigurojmë e ruajmë dinjitetin tuaj moral, social, ekonomik e politik.


Mirë na e bëni. S’kemi ditur t’ju edukojmë si duhet.

E di se jeni gërditur me poltronizmin e përkuljen e prindërve tuaj ndaj partive politike, ndaj shefave, ministrave e drejtorëve; jeni gërditur me egoizmat prindërore, për mos sakrificën ndaj jush.

Mirupafshim e të na falni që s’kemi sakrifikuar sikurse prindërit tanë që me pesë gjashtë fëmijë jetën e kanë dhënë për të jetuar kalamajtë, kurse ne, baballarët e nënat moderne kemi sakrifikuar fëmijët për të jetuar vetë ne më mirë

Të më falësh biri im që s’bëra kurrgjë për ty, duke u munduar të jetoj vetë të harrova ty. Duke vrapuar pas karrierës sime, harrova karrierën e ardhmërisë tënde.

Derisa babai im, apo gjyshi juaj, përpiqej, punonte e sakrifikonte për tre djemtë e tri vajzat e tij, unë duke u përpjekur për karrierë, duke shkruar për të bërë emër, të harrova e të pikëllova ty e motrën tënde.

Pasi s’isha i aftë të përkujdesesha për ekzistencën tuaj, për kushte të mira jetësore e për karrierën tuaj, shko bir, ik nga unë, nga vendlindja e mallkuar, nga vetë shqiptarët e korruptuar.

E di biri im se gabimisht të kam edukuar, mësuar e frymëzuar. Edhe pse je shumë i ri, je më i mençur se unë. E di se patriotizmi yt s’është kombëtar, por ai jetësor, kah e ku të shkosh të jetosh mirë e këndshëm. E di se vendlindja juaj është jeta e mirë dhe e lumtur, e jo vendlindja e baltosur, e korruptuar e mjeruar.

O djali im i dashur, në vend që ne, njëzet vjet radhazi të ruanim paratë e pushimeve verore nga 1500 euro, në konton tuaj do kishit 36,000 euro.Po paratë e ahengjeve, qejfeve, gardërobave, grimit, teshave, ditëlindjeve, dasmave, motmoteve, 8 marseve, pijeve alkoolike ku mbeten?

Pasi si prind kemi qenë egoistë, e kurrgjë s’kemi sakrifikuar për ju, atëherë Zoti ju ruajt e ju ndihmoftë, o biri im, Adhurimi im i dashur!