LAJMI I FUNDIT:

IKD: Sivjet asnjë aktakuzë e ngritur për korrupsion ndaj profilit të lartë

IKD: Sivjet asnjë aktakuzë e ngritur për korrupsion ndaj profilit të lartë

Prokuroria Speciale edhe këtë vit vazhdon me trendin e ikjes në marrjen e përgjegjësive për trajtimin e rasteve të korrupsionit, pasi nga 1 janari 2019 e deri më 30 shtator 2019 nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj profilit të lartë për vepra penale korruptive.

Kështu u tha sot në tryezën me temën “Papërshkueshmëria e korrupsionit”, organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it.

Në këtë tryezë u publikuan dy raporte të IKD-së, si rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik të rasteve të korrupsionit dhe rasteve tjera në fushën penale në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, të cilat përmbajnë gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet për rritjen e efikasitetit të këtyre sistemeve në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe si të përmirësohet politika e dënimeve.

Hulumtuesja e IKD-së, Arrita Rezniqi duke prezantuar gjetjet e raportit “Dështimet speciale në luftimin e korrupsionit”, tha se Prokuroria Speciale edhe këtë vit vazhdon me trendin e ikjes në marrjen e përgjegjësive për trajtimin e rasteve të korrupsionit.

“Kjo Prokurori nga 1 janari 2019 e deri më 30 shtator 2019 nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj profilit të lartë për vepra penale korruptive. Karakteristikë tjetër e PSRK-së ndërlidhet me faktin se prokurorët në këtë prokurori nuk janë të profilizuar dhe specializuar në fusha të veçanta, përfshirë profilizimin në rastet e korrupsionit dhe krimeve ekonomike”, tha ajo.

Rezniqi bëri të ditur se politika ndëshkimore te rastet e korrupsionit ende mbetet sfidë dhe se sistemi gjyqësor ende nuk është në gjendje të zbatojë politika ndëshkimore në pajtim me Kodin Penal të Kosovës.

“Edhe gjatë kësaj periudhe raportuese numri më i madh i dënimeve të shqiptuara nga gjykatat janë dënime me kusht dhe me gjobë, pasuar nga dënimet me burgim. Sidoqoftë, viti 2019, në krahasim me vitet paraprake për herë të parë ka shënuar ngritje të numrit të dënimeve me burgim efektiv të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës”, tha ajo.

Hulumtuesja Rezniqi po ashtu tha se viti 2019, ka vazhduar të karakterizohet me fenomenin e shtyrjes së numri të madh të seancave gjyqësore në rastet e korrupsionit dhe mungesën e transparencës dhe llogaridhënies publike nga sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial.

Ndërsa, hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala ka prezantuar gjetjet e raportit “Politika e dënimeve në Kosovë”, sipas të cilit Udhëzuesi për Politikën Ndëshkimore në Kosovë, i nxjerrë nga Gjykata Supreme e Kosovës më 15 shkurt 2018, nuk ka gjetur zbatim në praktikë, por ka mbetur një dokument në letër.

Hulumtimi dhe analizimi i 73 aktgjykimeve, të cilat hyjnë në kategori të ndryshme të veprave penale, e në të cilat gjykatat kanë vendosur me aktgjykime dënuese, sipas Shalës tregojnë dy dukuri.

“E para është se në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës nuk kemi të bëjmë me një praktikë të uniformuar në parim, e cila më pastaj do të konkretizohej varësisht prej specifikave të një rasti. Dhe e dyta, se asnjë pjesë e udhëzuesit nuk është zbatuar në nivel të kënaqshëm, që ndryshe mund të përkthehet se udhëzuesi është pothuajse i pazbatuar në praktikë”, tha ai.

Shala tha se përpos arsyetimit, shabllone ka edhe te dënimi i shqiptuar, dhe veçanërisht te pjesa e korrupsionit, me arsyetimin se nga 34 dënime me burgim efektiv dhe me kusht në rastet e korrupsionit, plot 23 prej tyre janë dënime me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve.

“Sa i përket ashpërsisë së dënimeve, gjetjet tregojnë se nga të gjitha kategoritë që janë analizuar në këtë kapitull, politika më e butë ndëshkimore është tek rastet e korrupsionit. Madje, dënimet në rastet e korrupsionit kanë qenë më të buta se sa në rastet të cilat gjykohen në Departament të Përgjithshëm. Nga totali i dënimeve të shqiptuara në aktgjykimet e analizuara në këtë raport nga kapitulli i korrupsionit, gjykatat kanë shqiptuar gjithsej 14 aktgjykime me burgim efektiv. Por, prej këtyre 14 dënimeve me burgim efektiv, gjykatat 9 prej tyre i kanë shndërruar në dënim me gjobë, që nënkupton se kemi vetëm 5 aktgjykime me burgim efektiv, derisa 9 të tilla janë identifikuar në kapitullin e veprave penale të cilat gjykohen në Departamentin e Përgjithshëm”, tha Shala.

Ai ka shtuar se nga 25 aktgjykimet e analizuara për këto raste, gjykatat në vetëm një rast kanë shqiptuar edhe dënim plotësues, ndërsa këtë nuk e kanë bërë në 24 aktgjykime të tjera.

Drejtori i INL për Kosovë-Departamentit Amerikan të Shtetit, Shawn Waddoups tha se Ambasada amerikane do t’i mbështesë gjykatësit dhe prokurorët për të aplikuar Udhëzuesin për Politikë Ndëshkimore në mënyrë efikase. Ai gjithashtu ftoi të gjithë akterët e institucioneve të drejtësisë që të bashkëpunojnë për luftimin e korrupsionit dhe zbatimin e ligjit në Kosovë.

Ndërsa, kryesuesi i KGJK-së, Skënder Çoçaj, tha se ka progres në luftimin e korrupsionit, por nuk është i kënaqur me nivelin e këtij progresi, për çka ai kërkoi të punohet më shumë në këtë drejtim.

Duke folur për Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore, Çoçaj tha se është në fazën fillestare të implementimit dhe se sipas tij është duke u punuar në drejtim të zbatimit të këtij udhëzuesi në praktikë.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se Udhëzuesi për Politikë Ndëshkimore nuk mund të bëhet i obligueshëm, por në bazë të tij mund të përmirësohet sistemi, derisa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha institucionet e drejtësisë mund të bëjnë më shumë në luftimin e korrupsionit.

Lidhur me këtë temë ka pasur debat përmbajtësor edhe nga pjesëmarrësit në tryezë, ndër të cilët ishin kryetarët dhe kryeprokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive, gjykatës, prokurorë, përfaqësues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe ambasadave të huaja në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe mediat. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Kronika e Zezë
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori