LAJMI I FUNDIT:

ICT Awards për herë të parë në Ulqin, takim në Kosovë me Ministrin Valdrin Lluka, Besim Beqaj dhe kryetarin e Prishtinës

ICT Awards për herë të parë në Ulqin, takim në Kosovë me Ministrin Valdrin Lluka, Besim Beqaj dhe kryetarin e Prishtinës

Kur kanë ngelur vetëm 12 ditë nga mbyllja e aplikimeve në edicionin e gjashtë, Albanian ICT Awards për herë të parë vizitoi me 14 Mars qytetin e Ulqinit.

Në një pritje të jashtëzakonshme nga Gjimnazi “Vëllazërim Bashkim”, Shkolla e Mesme “Drita” përcjellë nga Televizioni lokal Teuta, ekipi i ICT Awards u shoqërua nga anëtari i jurisë në edicionin e pestë Prof Ilir Çapuni.


Nxënësit e shkollave kishin rezervuar një mikpritje të ngrohtë duke afirmuar më tej karakterin mbarëkombëtare të një gare e cila çdo vit sjell bashkë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi në një prej aktiviteteve më të shquara të teknologjisë dhe informacionit.

Albanian ICT Awards çeli edicionin e gjashtë më 2 Shkurt në një aktivitet të cilit ju bashkua edhe Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe Ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës ,Valdrin Luka.

Më 15 Mars përfaqësues të Albanian ICT Awards nga Juria dhe pjesa organizative e kësaj nisme u pritën nga Ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës, Valdrin Lluka.

Ai u njoh më nga afër me ecurinë e deritanishme të garës mbarëkombëtare, por gjithashtu Ministri prezantoi disa prej projekteve më ambicioze të dikasterit që drejton duke shprehur vullnetin e plotë për bashkëpunim të sinkronizuar me aktorët e ekosistemit të inovacionit.

Po të njëjtën ditë Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj priti delegacionin e Albanian ICT Awards në kuadrin e turit mbarëkombëtar të kësaj nisme.

Mikëpritjet e ngrohta të Prishtinës vijuan me kryetarin inovativ Shpend Ahmeti i cili pranoi me kënaqësi ftesën në mbrëmjen gala të edicionit të gjashtë që do të mbahet me 27 Prill.

Në vazhdën e fushatës mbarëkombëtare me qëllim inkurajimin e inovatorëve, studentëve, sipërmarrësve dhe entuziastëve të teknologjisë ICT Awards ishte në Prishtinë përmes një takimi të hapur me komunitetin e ICT-së. /Telegrafi/