LAJMI I FUNDIT:

ICK me vizion dhe identitet të ri

ICK me vizion dhe identitet të ri

Javën që shkoi, Innovation Centre Kosovo shënoi gjashtë vjetorin e themelimit të saj, me ç’rast shpalosi vizionin dhe identitetin e ri. Në gjatë vitet e operimit, Innovation Centre Kosovo (ICK) ka përkrahur 165 biznese startup, ka krijuar mbi 1,500 vende të reja të punës, ka trajnuar 2,000 të rinj në fushën e TIK, ka organizuar 355 evente lokale e ndërkombëtare dhe bashkë me komunitetin kanë fituar 30 çmime globale.

Qendra e themeluar më 2012 ka ndërtuar partneritete me gjigantët botëror si Amazon, Microsoft, Google for Entrepreneurs, Techstars, Kaufman Foundation, Slush, NASA, Cisco, Impact Hub Vienna, Raiffeisen Elevator Lab, FabLab, Get in the Ring, dhe është anëtare e Aleancës Europiane për Inovacion, Rrjetit Europian të Bizneseve, Rrjetit Europian të Business Angels dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Biznes dhe Inovacion.

E krijuar me qëllim të ndërlidhjes së hulumtimit dhe zhvillimit të sektorit të biznesit, me fokus krijimin e vendeve të reja të punës, qendra shërben si platformë e mundësive të orientuara në njohuri dhe teknologji të reja.

E vlerësuar si promotori kryesor i zhvillimit të sektorit dhe bizneseve startup të fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ICK ka krijuar një ambient të qëndrueshëm të të bërit biznes, ka mbuluar hapësirën e sistemit të edukimit për profesionet e shekullit 21 dhe ka ndihmuar komunitetin për plasimin e produkteve dhe shërbimeve jashtë vendit, duke e promovuar kështu Kosovën si destinacion për “outsource” të shërbimeve të TIK.

Me qëllim të përshtatjes me kërkesat e komunitetit dhe rrethanat e zhvillimeve globale, viti i gjashtë e gjenë ICK-në me identitet të ri dhe vizion të përditësuar. Drejtori ekzekutiv, z. Uranik Begu sqaron: “Bashkarisht me komunitetin dhe akterët relevant të ekosistemit të ndëmarrësisë kemi diskutuar dhe identifikuar nevojat e kohës, në mënyrë që sektori në Kosovë të avancojë në një nivel të qëndrueshëm dhe të jetë katalizator i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Si rezultat, kemi një vizion dhe identitet të ri, që përkon me kohën dhe kërkesave për aktivitete të reja të shtuara, gjithmonë duke qenë gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues me të gjitha organizatat dhe institucionet tjera në Kosovë.”

Me “ICK 2.0” programeve ekzistuese (Inkubator, qendër e trajnimeve, eventeve dhe “coworking space”) pritet ti shtohen programe tjera që kanë për qëllim permirësimin e ambientit të përgjithshëm të ndërmarrësisë dhe inovacionit, si programet e specializuara për ndërmarrësinë sociale, akselerim të bizneseve, open data, makerspace dhe hulumtim & zhvillim akademik.

ICK mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Kosovë (si donator kryesor), GIZ, Ambasada e Norvegjisë, European Fund for Southeast Europe dhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.