Innovation Centre Kosovo (ICK) ka zyrtarizuar një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqërinë e Avokatëve “Kërveshi & Partners” për ofrimin e shërbimeve juridike falas për bizneset startup dhe komunitetin e qendrës.

Kjo iniciativë ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe sigurimin e kushteve të përshtatshme për veprimtarinë afariste të bizneseve të reja në Kosovë.


“Nëpërmjet këtij bashkëpunimi dypalësh, ICK dhe “Kërveshi & Partners” do të bashkërendojnë ekspertizat dhe resurset e tyre për të ofruar ndihmë ligjore dhe trajnime në fusha të rëndësishme si: procedurat administrative për themelimin dhe regjistrimin e bizneseve, ligji i punës, marrëdhëniet e punës, procedurat disiplinore, ruajtja e konfidencialitetit, draftimi i statutit dhe rregulloreve të bizneseve, si dhe përgatitja e kontratave të punës”, thuhet në njoftim.

Innovation Centre Kosovo falënderon Shoqërinë e Avokatëve “Kërveshi & Partners” dhe zotin Kujtim Kërveshi për nismën, gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre në mbështetjen e ekosistemit të startup-eve në Kosovë. /Telegrafi/