I dyshuari që mori pjesë në vrasjet e civilëve gjatë luftës në Bosnje, një aristokrat i pasur italian


Një fisnik i pasur nga Milano është vënë nën hetim nga autoritetet italiane për dyshime se gjatë luftës në Bosnje ka marrë pjesë në të ashtuquajturat “safari njerëzore”, ku të huaj të pasur dyshohet se paguanin shuma të mëdha parash për të qëlluar civilë në Sarajevën e rrethuar.
Sipas hetimeve që po zhvillohen në Itali dhe disa vende të tjera evropiane, personi në fjalë, pjesëtar i një familjeje aristokrate milaneze dhe i njohur për pasionin e tij ndaj armëve, dyshohet se ka udhëtuar në Bosnje gjatë viteve 1992–1995 për t’iu bashkuar snajperistëve serbë që qëllonin mbi civilët e Sarajevës.
Hetuesit po shqyrtojnë dëshmi sipas të cilave ai kishte mburrur miqtë e tij me pjesëmarrjen në këto veprime.
Rasti ka dalë sërish në dritë pas dokumentarit Sarajevo Safari dhe punës hulumtuese të gazetarit italian Ezio Gavazzeni, i cili ka mbledhur dëshmi për një rrjet të dyshuar që organizonte udhëtime për evropianë të pasur drejt pozicioneve të forcave serbe përreth Sarajevës.
Prokurorët italianë kanë marrë në pyetje disa persona dhe dëshmitarë, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar materiale që mund të lidhen me hetimin.
Megjithatë, sipas burimeve pranë çështjes, deri tani nuk ka prova të mjaftueshme për ngritjen e një procesi gjyqësor dhe hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me autoritetet e Bosnjës, Belgjikës dhe vendeve të tjera evropiane.
Gjatë rrethimit të Sarajevës, i cili zgjati nga viti 1992 deri në vitin 1996, më shumë se 11 mijë civilë humbën jetën nga granatimet dhe zjarri i snajperëve.
Pretendimet se të huaj të pasur paguanin për të marrë pjesë në këto krime konsiderohen ndër akuzat më tronditëse që kanë dalë nga lufta në Bosnje. /Thetimes




































