Kirill Dmitriev, i dërguar i udhëheqësit të Kremlinit, Vladimir Putin, ka thënë se bisedimet me palën amerikane mbi luftën e Rusisë kundër Ukrainës kanë qenë "konstruktive" dhe do të vazhdojnë të shtunën dhe të dielën.

Në një koment të shkurtër, Dmitriev i përshkroi diskutimet me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, si "konstruktive".


Ai shtoi se bisedimet në Miami kishin filluar dhe do të vazhdonin të shtunën dhe të dielën, transmeton Telegrafi.

Kremlini më parë konfirmoi raportet e medias se po bëheshin përgatitje për një takim me përfaqësuesit e SHBA-së për të shqyrtuar rezultatet e bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Evropës mbi një marrëveshje paqeje.

Në mbrëmjen e 19 dhjetorit, Rustem Umierov, Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha se një takim midis delegacionit negociator ukrainas dhe partnerëve amerikanë dhe evropianë kishte përfunduar.

Më 20 dhjetor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një konferencë të përbashkët për shtyp së bashku me kryeministrin portugez Luís Montenegro në Kiev, se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar që të zhvillohen "bisedime paqeje" me përfaqësues të Ukrainës dhe Rusisë dhe ndoshta edhe të vendeve evropiane.

Zelensky tha gjithashtu gjatë një konference online me gazetarët të shtunën se ai e konsideron të rëndësishme ruajtjen e pjesëmarrjes së SHBA-së në "bisedimet e paqes", duke komentuar një propozim të presidentit Francez Emmanuel Macron për të rifilluar angazhimin me Rusinë. /Telegrafi/