Hyseni: Projekti i bulevardit po bëhet realitet, Gjilani po transformohet rrënjësisht


Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar punimet në bulevardin e qytetit, projekt i cili sipas tij paraqet investimin më të madh kapital në historinë e Gjilanit.
I shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, Hyseni ka parë nga afër ecurinë e punimeve, duke theksuar se projekti po merr formë dhe se transformimi i qytetit po vazhdon.
“Mega-projekti për Gjilanin po bëhet realitet”, ka deklaruar Hyseni.
Sipas tij, pas përfundimit të procedurave për lejen e objektit të ri të komunës, do të vazhdohet edhe me realizimin e projekteve të tjera që lidhen me zhvillimin urban të qytetit.
“Më tej, pas finalizimit të lejes për objektin e komunës së re, do të vazhdojmë me ndërtimin e nënkalimit dhe parkingjeve të reja nëntokësore”, ka thënë ai.
Kryetari i Gjilanit ka bërë të ditur se të gjitha procedurat dhe pëlqimet e nevojshme tashmë janë përmbyllur.
“Të gjitha pëlqimet dhe procedurat zyrtare tashmë janë përfunduar me sukses. Gjilani po transformohet rrënjësisht. Urime të gjithëve ky kapitull i ri”, është shprehur Hyseni.
Komuna e Gjilanit e konsideron projektin e bulevardit si një ndër investimet më të rëndësishme infrastrukturore, i cili pritet të ndikojë në modernizimin e qendrës urbane dhe përmirësimin e qarkullimit në qytet. /Telegrafi/



































