LAJMI I FUNDIT:

Hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë BE-Japoni

Hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë BE-Japoni

Më 1 shkurt do të hyjë në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e nënshkruar midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Japonisë.

Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, marrëveshja e cila është ratifikuar zyrtarisht pas negociatave që zgjatën katër vite, do të jetë e vlefshme nga kjo datë, përcjell Telegrafi.

Marrëveshja e Partneritetit Ekonomik dhe Partneritetit Strategjik u nënshkrua në muajin korrik 2018 gjatë Samitit BE-Japoni në Tokio me pjesëmarrje të kryeministrit japonez, Shinzo Abe, presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe atij të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ndërsa më pas u ratifikua nga të dyja palët.

Negociatat për këtë marrëveshje kishin përfunduar në dhjetor të vitit 2017 pas një kohëzgjatjeje prej katër vitesh. Me këtë marrëveshje do të hiqet pjesa më e madhe e tarifave doganore reciproke që paguajnë kompanitë, do të zgjerohet qasja reciproke në tregjet e sektorëve të shërbimeve financiare, tregtisë elektronike, komunikimit dhe transportit, si dhe në mënyrë graduale do të hapen tregje në sektorin automobilistik. /Telegrafi/