LAJMI I FUNDIT:

HSBC i bie fitimi me 62%

HSBC i bie fitimi me 62%

Banka britanike HSBC raportoi një rënie me 62 për qind në fitimin vjetor përpara tatimit. Vlera në treg e HSBC ra me më shumë se 6 për qind pasi kompania raportoi rezultatin, duke theksuar sfidat që huadhënësi përballet për të rritur kthimet në një kohë të normave të ulëta të interesit dhe rritjes së ngadaltë ekonomike në tregjet bazë; Britania dhe Kina.

Banka më e madhe në Europë nga asetet gjeneroi një fitim përpara taksave prej 7.1 miliardë dollarë në 2016-ën, krahasuar me 18.87 miliardë që ishte një vit më parë. Banka lajmëroi gjithashtu se do të shpenzojë 1 miliardë dollarë për të blerë mbrapsht aksionet e veta në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me 2.5 miliardë dollarë riblerje që bëri vitin e kaluar, pasi u lirua kapital nga shitja e njësisë së biznesit në Brazil.


Raporti i kapitalit bazë të bankës kundër aktiveve të ponderuara me risk qëndroi 13.6 për qind, poshtë pritshmërive prej 13.8 për qind. Banka tregoi për disa faktorë që do të shkaktojnë presione në të ardhurat për 2017-ën, përfshirë 500 milionë dollarë në kosto për kapitalin rregullator, si dhe normat më të ulëta të interesit në Britani.

Për tremujorin e katërt 2016, HSBC raportoi një humbje me 3.4 miliardë dollarë, për të cilën banka tha se erdhi prej rritjes së ngadaltë në tregjet kryesorë. /Telegrafi/