eksperti-banner

Hoxhaj ka theksuar se direktiva negociuese e BE-së për MSA-në me Kosovën i përmban të gjitha elementet të cilat mund të realizohen vetëm nga shtetet e pavarura, përfshirë këtu dialogun politik, drejtësinë dhe sundimin e ligjit.

“Pra, MSA-ja në përmbajtje do të jetë e njëjtë me shtetet e rajonit dhe në esencë substanca e MSA-së është e realizueshme vetëm nga shtetet e pavarura, ku në këtë rast Kosova konsiderohet me kapacitet sovran dhe autoritet shtetëror për të negociuar dhe nënshkruar një marrëveshje të këtillë. Kjo në mënyre implicite e bënë Kosovën që të negocioj dhe të lidh marrëveshje ndërkombëtare si shtet i pavarur dhe sovran, që gjithsesi do të ndikojë pozitivisht në ngritjen e subjektivitetit të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe rritjes së njohjes dhe pranueshmërisë politike të Kosovës”, tha ai për Telegrafin.


I pari i MPJ-së tha se me vendet anëtare të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është intensifikuar komunikimi nga ana e ministrisë të cilin e drejton ai, duke shtuar se disa prej këtyre shteteve kanë dhënë sinjale në drejtim të njohjes së Kosovës pas ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Fakti që pesë vendet e BE-së sot kanë pranuar që BE-ja të procedojë negocimin e MSA-së me Kosovën - si marrëveshje në mes BE-së dhe Kosovës - është dëshmi që këto vende po tregojnë unitet me shumicën e vendeve të BE-së, dhe po e pranojnë realitetin e krijuar. Zhvillimet e muajve të fundit kanë krijuar parakushte për të marrë njohje nga këto vende. Presim së shpejti lëvizje afirmative në drejtim të njohjes zyrtare të shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj. /Telegrafi/