Hoxhaj: PDK-së nuk i duhet posti i kryeparlamentarit, Kurti po e dërgon vendin në zgjedhje

Partisë Demokratike të Kosovës nuk i duhet asgjë pozita e kryetarit të Kuvendit, thotë deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj. Duke komentuar ofertën e kryeministrit Albin Kurti për zgjedhjen e presidentit, ai deklaron se lideri i LVV-së është joserioz në këtë proces dhe se po e dërgon vendin në zgjedhje të reja. Sipas tij, përmes kësaj po dëshmohet se Kurti nuk dëshiron të qeverisë, derisa e sheh se Kosova po hyn në një fazë të vështirë ku kriza politike mund të thellohet edhe më tej pas zgjedhjeve të reja.
Kurti në fillim të kësaj jave i parashtroi dy oferta PDK-së dhe LDK-së. Kësaj të parës i ofroi postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të zgjedhjes së presidentit, ndërkaq LDK-së bashkëqeverisje ose kryeparlamentarin, por të dyja propozimet nuk u pranuan nga dy partitë, pasi insistuan të diskutojnë vetëm për çështjen e presidentit.
Hoxhaj në një intervistë për KosovaPress thotë se për PDK-në zgjedhja e presidentit tashmë është çështje e mbyllur, ani pse kanë mbetur edhe pesë ditë afat kushtetues për të gjetur një zgjidhje.
“Këshilli drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë vendim që për neve si proces është i mbyllur. Përpjekja ka qenë serioze, por mendoj që zoti Kurti s’e ka seriozisht me këtë proces, meqë në dy muajt e parë të këtij viti, në janar dhe në shkurt, kanë ndodhur vetëm dy takime me zotërin Hamza. Gjatë kësaj kohe, kur Gjykata Kushtetuese na dha edhe një afat shtesë, nuk ka pasur ndonjë takim serioz, ka pasur vetëm komunikim përmes SMS-ave. Prandaj, nëse ne shkojmë në zgjedhje, në zgjedhje nuk shkojmë se Partia Demokratike e Kosovës dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje, por pse zoti Kurti nuk ka vullnet të qeverisë, të udhëheqë, të ketë dialog serioz me partitë politike dhe ta zbatojë atë pjesën e Kushtetutës se çfarë thuhet që presidenti zgjidhet si rezultat i një dialogu në mes të forcave politike”, thotë ai.
Duke e konsideruar ofertën e Kurtit si joserioze për postin e kryeparlamentarit, ai thotë se kjo pozitë nuk i duhet aspak PDK-së.
Sipas tij, thelbësore për PDK-në është që LVV-ja mos t’i ketë tri pozitat udhëheqëse të shtetit, e veçmas presidentin, të cilin e konsideron si figurë që reflekton unitetin e qytetarëve.
“Gjë s’na vyn neve pozita e kryeparlamentarit. Ne duam të japim kontributin për ta zgjidhur presidentin dhe për ta ushtruar rolin kushtetues si parti politike. Vendi ka nevojë që ta ketë një figurë, e cila e reflekton unitetin e qytetarëve, e cila ka integritet, e cila mund ta përfaqësojë vendin brenda dhe jashtë. Edhe kur je në opozitë, e ke mandat që duhet me udhëheqë vendin, duhet me kontribuar. Dikush tjetër ka marrë mandat me qeverisë, por ai që ka marrë mandat me qeverisë dhe ne që kemi marrë mandat opozitar, të gjithë ne e udhëheqim vendin. Por neve gjë nuk na vyn pozita e kryetarit të Kuvendit, se nuk e kemi një shqetësim të tillë. Ne kemi një shqetësim më fundamental në këtë vend: se cili është sistemi ynë politik dhe sa është funksionimi demokratik i institucioneve, a po e ruajmë karakterin demokratik të këtij vendi dhe se si do të duhej ta shmangim një situatë që një parti e vetme politike mos t’i ketë të tri pozitat udhëheqëse në qeverisje. Do të ishte jo në interes të qytetarëve, jo në interes të shoqërisë, jo në interes të Republikës së Kosovës. Përndryshe, ne nuk marrim pjesë në një proces të tillë për ta marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit, sepse aspak nuk i duhet Partisë Demokratike të Kosovës pozita e kryetarit të Kuvendit”, deklaron Hoxhaj.
Në këto rrethana, Hoxhaj thotë se vendi po shkon në zgjedhje të reja, siç shton për shkak të kryeministrit Albin Kurti.
Ai e konsideron shqetësuese krizën politike që mund të thellohet edhe më tej pas zgjedhjeve të mundshme, ku vendi mund të jetë në konflikt permanent institucional.
“Unë e shoh si një fazë të vështirë në të cilën ka hyrë Kosova, ku kriza do të thellohet dhe do të përkeqësohet dhe si një situatë permanente politike ku vendi është në konflikt permanent institucional, sikurse vitin e kaluar që e kishim me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Tash është një konflikt permanent institucional me zgjedhjen e presidentit, një paralizë, një bllokadë institucionale, e cila në fakt e dobëson vendin brenda, por e dobëson edhe në raport me botën e jashtme”, shton ai.
Ai akuzon kryeministrin Albin Kurti se e ka sjellë Kosovën në një fazë të vështirë të ekzistencës së saj, siç thotë, në kuptimin e funksionimit të institucioneve demokratike.
Sipas tij, Kurti nuk ka bërë dialog të mirëfilltë politik dhe as kompromis për çështjen e presidentit.
“Ajo se çfarë ka ndodhur jo vetëm në vitin 2026, në këta katër muaj, jo vetëm në dy vitet e fundit, por në gjashtë vitet e fundit është që Kosova ka lëvizur drejt një faze të vështirë të ekzistencës së saj, në kuptimin e funksionimit të institucioneve demokratike, ku ne për herë të parë duhet ta shtrojmë pyetjen: a ka kulturë politike ky vend? Cila është kultura politike e këtij vendi? Nëse nuk ka dialog të mirëfilltë mes partive politike, nëse nuk ka marrëveshje politike në demokraci, nëse s’ka bashkëpunim të mirëfilltë, nëse s’ka kompromis, nëse ne nuk funksionojmë qysh duhet të jetë raporti mes shumicës dhe opozitës, mes qeverisë dhe opozitës, shtrohet pyetja: çfarë do të ndodhë me kulturën politike në këtë vend? Prandaj unë e kam një frikë që situata është degraduar, është përkeqësuar, po vazhdon që të përkeqësohet dhe ne e kemi humbur qëllimin bazik për çka ekziston dhe funksionon politika në këtë vend. Por kjo nuk varet prej nesh. Kjo varet prej zotit Kurti, sepse zoti Kurti e ka marrë një mbështetje të madhe elektorale. Kur e merr mbështetjen prej popullit, nuk e merr vetëm me qeverisë, me administruar, me marrë vendime në qeveri. E merr edhe me drejtuar, e merr edhe me udhëhequr”, përfundon ai.
Kosova ka afat deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.




















































