LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Po bëhen përgatitje për pagesat e punëtoreve që humbën punën, qiratë dhe familjet pa të ardhura

Hoti: Po bëhen përgatitje për pagesat e punëtoreve që humbën punën, qiratë dhe familjet pa të ardhura
Foto: Arkiv

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se janë duke bërë përgatitje për të bërë pagesat për punëtorët që kanë mbetur pa punë, për qiratë dhe familjet pa të ardhura.

Hoti përmes një postimi në Facebook, u shpreh se kjo po bëhet përmes Ministrisë së Financave dhe ministrive tjera.

Ai tha se po bëjnë edhe planin e shpërndarjes së mjeteve për masat e rimëkëmbjes ekonomike, për të cilat njoftoi se do të miratohet shpejt në Qeveri.

“Përmes Ministrisë së Financave dhe ministrive të linjës, po bëjmë përgatitjet për pagesat për punëtorët e mbetur të papunë, qiratë e ndërmarrje dhe familjet pa të ardhura. Gjithashtu, po bëjmë planin e shpërndarjes së mjeteve për masat e rimëkëmbjes ekonomike, i cili plan do të miratohet në Qeveri së shpejti”, shkruan Hoti.

Ndryshe, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka dekretuar Ligjin për Buxhetin dhe plotësim-ndryshimet e tij.

Presidenti Thaçi dekreton Ligjin për Buxhetin
Lexo po ashtu Presidenti Thaçi dekreton Ligjin për Buxhetin

Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkroi se është i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm dhe hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

“Sapo dekretova Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e kam pranuar dje pasdite. E bëra dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët tanë dhe të zbuten pasojat e pandemisë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, por hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

Ekzekutivi i vendit tha se është i bindur se do të gjejë hapësirë dhe mundësi për t’i trajtuar të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit sektorialë.

“Por, prioritet dhe qëllim i përbashkët i të gjithë neve është lehtësimi i pasojave të pandemisë dhe menaxhimi sa më i mirë i kësaj situate”, shkruan Thaçi.

Ndryshe, më 30 korrik me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.

Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.

Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në këtë Projektligj ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.

Me rishikimin e bërë të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kishte thënë se pas publikimit të Ligjit në Gazetën Zyrtare, mund të fillojë ekzekutimi i masave nga Pako Emergjente Fiskale. /Telegrafi/