LAJMI I FUNDIT:

Hoti pas zhvillimeve të fundit me Specialen: Duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve të vendit

Hoti pas zhvillimeve të fundit me Specialen: Duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve të vendit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës tha se pas dorëheqjes së Presidentit të vendit, Hashim Thaçi nga posti i tij, duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve të vendit dhe se ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Kuvendin e Kosovës.

Hoti tha se Qeveria është e gatshme për bashkëpunim me bartësit e institucioneve dhe me faktorin ndërkombëtar dhe pret që të gjithë të dëshmojnë kulturë të lartë politike.


“Duhet të tregojmë urtësi e vizion për të dalë nga kjo situatë. Jam i bindur që do të dalim faqebardhë para botës. Qeveria e Kosovës vlerëson që në situatën e krijuar, me dorëheqjen e Presidentit, duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve. Qeveria do të bashkëpunoj me të gjithë bartësit e institucioneve dhe faktorin ndërkombëtar. Ne do të bashkëpunojmë me Kuvendin e Kosovës, dhe partitë përfaqësuese në Kuvend. Qeveria pret nga të gjithë të vazhdojnë të dëshmojnë kulturë të lartë politike”, tha Hoti.

Hoti tha se populli i Kosovës ka luftuar për tu mbrojtur dhe në oborrin e vet, ndërsa agresori ka qenë Serbia.

Ai e vlerësoi lartë bashkëpunimin e ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi me organet e drejtësisë.

“Gjithë këto zhvillime e kanë vënë edhe njëherë shtetin e Kosovës në sprovë. Më lejoni të vlerësojë gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me drejtësinë. Duke uruar që puna e institucioneve të drejtësisë të tërhiqet vetëm nga profesionalizmi, do të dëshmohet që lufta ka qenë e drejtë dhe e pastër. Populli luftoi për liri, pavarësi. Populli i Kosovës nuk luftoi në tokë të huaj por në oborrin e vet. Agresori ishte Serbia, nga ushtria militare e paramilitare të cilën e dënoi bota e civilizuar”, u shpreh Hoti.

Në fund të mbledhjes, kryeministri Avdullah Hoti tha se duhet respektuar parimi i ndarjes së pushteteve dhe se Qeveria nuk komenton vendimet e organeve të drejtësisë.

“Duhet të respektojmë të gjitha parimin e ndarjes së pushteteve. Nuk komentojmë vendimet e organeve të drejtësisë. Në Qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe, bazën ligjore e kemi të qartë si të sillemi për t’i ndihmuar ligjërisht personat që janë përfshirë në këtë situatë. Secili prej juve duhet ta vazhdojë punën me intensitet të shtuar. Ky duhet të jetë qëndrimi”, tha Hoti. /Telegrafi/