LAJMI I FUNDIT:

Hoti pas takimit me sindikalistët: Do të formohet grupi punues që Ligji për Paga të procedohet në Kuvend

Hoti pas takimit me sindikalistët: Do të formohet grupi punues që Ligji për Paga të procedohet në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas adresimit të vërejtjeve nga Gjykata Kushtetuese për Ligjin për Pagat të Sektorit Privat është zotuar se do të veprojë me shpejtësi për procedimin në Kuvend të këtij Ligji.

Pas dy pezullimeve, Gjykata ka vendosur që ky Ligj në tërësi nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës.


Hoti pas takimit me përfaqësuesit e sindikatave, në një konferencë për medie, ka thënë se vendimet e Gjykatës nuk diskutohen, por që do të pranohen ashtu si janë.

“Jemi pajtuar që Qeveria menjëherë ta formojë grupin punues, për ta proceduar në Kuvend, Ligjin e Pagave, duke marrë parasysh argumentet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe grupet tjera që mund të kenë pasur vërejtje për këtë Ligj”, tha Hoti, duke shtuar se do t’i nisë menjëherë procedurat, përcjell Telegrafi.

Ai tha që brenda mundësive, Qeveria do t’i adresoj nevojat më urgjente.

Çfarë kishte paraparë Ligji për Paga në Sektorin Publik që u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese?
Lexo po ashtu Çfarë kishte paraparë Ligji për Paga në Sektorin Publik që u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese?

“Besoj që të gjitha vërejtjet do të kemi mundësi t’i adresojmë dhe do ta dërgojmë Ligjin në Kuvend. Brenda mundësive që kemi si qeveri, t’i adresojmë disa prej nevojave më urgjente”, ka thënë ai.

Gjykata Kushtetuese më 30 qershor, ka ardhur në përfundim se Ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës dhe vet Kuvendin.

Kujtojmë se, deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të vitit 2019, kishin miratuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. /Telegrafi/