LAJMI I FUNDIT:

Hoti në Belgjikë, takon ministrin Sven Gatz: Për thellim bashkëpunimi, mes Kosovës dhe Flandrës

Hoti në Belgjikë, takon ministrin Sven Gatz: Për thellim bashkëpunimi, mes Kosovës dhe Flandrës

Zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Rexhep Hoti, ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Belgjikë, ku zhvilloi takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve shtetërore të kulturës dhe shoqatave kulturore shqiptare në Belgjikë.

Ai u takua me ministrin për Kulturë, Media dhe Rini në Qeverinë Regjionale të Flandër, Sven Gatz, me të cilin biseduan për një varg çështjesh me rëndësi për kulturën, trashëgiminë kulturore, rininë dhe mediet.


Gatz shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Flandrës, në pikat të cilat mbulon dikasteri që ai drejton.

Në lidhje me bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë, Gatz sugjeroi që një i tillë të konkretizohet me kryeministrinë flaman në një të ardhme të afërt.

Nga ana tjetër, Hoti e falënderoi ministri Gatzit për takimin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës. Ai tha se është e rëndësishme që të shkëmbehen përvojat, sidomos në fushën e trashëgimisë kulturore, por gjithashtu edhe në atë të diplomacisë dhe diversitetit kulturor.

Hoti gjithashtu e përgëzoi ministrin flaman për organizimin e festivalit ndërkombëtar kulturor “Ballkan Trafik”, ku mori pjesë edhe Republika e Kosovës me një varg pikash, disa prej tyre të sponsorizuara nga MKRS.

Hoti gjatë kësaj vizite takoi përfaqësues të ndryshëm kulturor nga shtete të rajonit, si dhe përfaqësues të shoqatave kulturore shqiptare në Belgjikë. Ai çmoi lartë punën që këto shoqata po bëjnë në paraqitjen sa më të denjë të kulturës shqiptare dhe mundësinë që shqiptarët në Belgjikë po kanë për aktiviteteve të ndryshme kulturore.