Holanda shënon histori me kryeministrin e parë homoseksual - fituesi i zgjedhjeve Rob Jetten është në lidhje me sportistin olimpik argjentinas Nico Keenan

Komuniteti LGBTQ+ në rrjete sociale po shpërthen nga entuziazmi pas fitores së politikanit të hapur homoseksual, Rob Jetten, i cili sapo ka fituar zgjedhjet për t’u bërë kryeministri më i ri në moshë në historinë e Holandës.
Por pse kaq shumë vëmendje ndaj tij? Përveçse është i ri dhe tërheqës, ai është në një lidhje me një sportist po aq simpatik – më i ri në moshë – dhe është gjithashtu kryeministri i parë haptazi i deklaruar si homoseksual në vend.
Ja kush është Jetten dhe çfarë dihet për partnerin e tij, Nicolás Keenan, shkruan Advocate.
Kush është Rob Jetten?
@nicokeenan97 Finally back home to annoy this guy☺️
♬ Belong Together (Sped Up) - Mark Ambor
Në moshën vetëm 38-vjeçare, lideri liberal centrist Rob Jetten doli fitimtar në zgjedhjet e ngushta të së mërkurës kundër populistit të djathtë ekstrem Geert Wilders. Me këtë fitore, ai mund të bëhet kryeministri më i ri i zgjedhur ndonjëherë në Holandë, si edhe i pari që deklarohet hapur si homoseksual.
Jetten mori drejtimin e partisë D66 në vitin 2023 dhe shpejt fitoi terren në fushatë falë përballjes së drejtpërdrejtë me idetë e Wilders dhe pjesëmarrjes së tij në emisionin shumë popullor “De Slimste Mens”.
Ai është politikan liberal dhe progresist, por tërhoqi vëmendje të madhe kur u distancua nga establishmenti i majtë duke kërkuar “kontroll më të fortë të fluksit të migrantëve” dhe duke pranuar se emigracioni i shtuar mund të krijojë “presion në lagjet punëtore”.
Kush është Nico Keenan?
Nicolás “Nico” Keenan është një hokeist profesional, 28-vjeçar, biseksual, i cili tani pritet të bëhet Zotëriu i Parë i Holandës.
I lindur në Buenos Aires, ai jeton në Evropë që i vogël. Në vitin 2017 u zhvendos në Hagë për të luajtur për klubin HC Klein Zwitserland – qyteti ku u njoh edhe me Jetten.
Keenan ka marrë pjesë dy herë në Lojërat Olimpike, në Tokio dhe më pas në Paris 2024, duke përfaqësuar ekipin kombëtar të Argjentinës.
Marrëdhënia e tyre
@nicokeenan97 Election night, let’s go🔥🫶🏽 @RobJetten #stemmen #d66 ♬ WHERE IS MY HUSBAND! - RAYE
Dyshja nisi lidhjen në vitin 2022, pasi takoheshin shpesh në lagje – madje edhe në supermarket. “Banonim afër njeri-tjetrit dhe kështu u njohëm. Tani kemi mbi dy vite gjysmë bashkë”, ka treguar Jetten në një intervistë për De Telegraaf.
Pas një periudhe të vështirë në jetën e tij – humbja në Olimpiadë, ndarja e prindërve dhe fundi i një lidhjeje – Keenan ishte në një moment kritik. Takimi me Jetten ndryshoi gjithçka.
“Më duhej kohë. Kur ishte fjala për dashurinë, isha i humbur. Por me Rob gjithçka shkoi në vend. Jam shumë mirënjohës”, ka thënë ai për Trouw.
Çifti e bëri lidhjen publike në vitin 2023, ndërsa një vit më vonë, gjatë Lojërave Olimpike të Parisit, njoftuan fejesën me një foto romantike dhe mbishkrimin: “Së shpejti do të jemi Z. & Z”. Ata planifikojnë të martohen vitin e ardhshëm.
Interesant është se Keenan nuk do të jetë argjentinasi i vetëm që martohet me një figurë të lartë politike holandeze: edhe Mbretëresha Máxima është me origjinë argjentinase. /Telegrafi/













































