LAJMI I FUNDIT:

Historia e gjatë e martesave me fantazmat në Kinë: Si të gjenden bashkëshortët për të ndjerët?

Historia e gjatë e martesave me fantazmat në Kinë: Si të gjenden bashkëshortët për të ndjerët?

Një zakon rrëqethës i vjetër tre mijë vjet

Shumica e njerëzve në kulturën kineze besojnë që të vdekurit ende kanë të njëjtat pritje si kur kanë qenë në jetë. Kjo përfshin edhe bashkëshortët, por, fatkeqësisht, nuk kanë arritur të gjithë të martohen para se të vdesin, posaçërisht ata të cilët kanë vdekur në moshë të re.


Martesa me fantazmat është mënyra që të sigurohet që të vdekurit e pamartuar të mos jenë vetëm në jetën e pasvdekjes, shkrua BBC, përcjell Telegrafi.

Besëtytnia ka rolin kryesor

Ata që vdesin para martesës shpesh nuk kanë fëmijë që të vazhdojnë fisin e tyre, dhe sipas besimit të lashtë, kjo do të kishte pasojat e saj. Domethënë, besojnë shumë se të vdekurit e pamartuar do ta ndjekin familjen e tyre duke iu shfaqur në ëndrra ose duke sjellë fat të keq në familje, si një mënyrë për të kërkuar bashkëshortin.

Martesat ndërmjet dy personave të vdekur madje i ndjekin edhe rregulla të veçanta.

Zakonisht, familja e dhëndrit ofron njëfarë paje dhe paguan ceremoninë dhe varrimin, pasi që për atë rast nxirren nga varret kufomat e dhëndrit dhe nuses. Mirëpo, në disa raste, kur bashkëshorti i dedikuar për të vdekurën ende është gjallë, kurorëzimi i fantazmave bëhet në fshehtësi.

Disa familje insistojnë të bëjnë martesën e personit të dashur, sepse sipas zakoneve të tyre vëllezërit dhe motrat patjetër duhet të martohen sipas moshës. Kështu, nëse personi i vdekur ka vëllezër dhe motra më të reja, i ndjeri i pengon të gjallët që të martohen në paqe.

Për familjet më të pasura, nuk është e pazakontë të paguajnë një mbles për të gjetur partnerin e përsosur për të ndjerin. Tradita thotë që nëse gruaja që është në jetë martohet me kufomën, ajo mbetet e vejë sapo të martohet dhe që atëherë do të jetojë me familjen e dhëndrit.

GettyImages

Në Tajvan, kur gruaja vdes, e cila nuk ka pasur rastin të martohet, familja e saj mund t’i marrë gjërat nën kontroll duke vënë pako të kuqe me para dhe me një xhufkë flokësh në ambient të hapur për të joshur një dhëndër.

Kur një burrë i mbledh pakot, ai duhet të martohet me gruan e ndjerë ose do të përjetojë fat të keq. Dhëndri më vonë do të jetë në gjendje të martohet me një grua të gjallë, por nusja e tij e ndjerë mbetet gjithmonë dominuese.

Fatkeqësisht, për shumë familje që kërkojnë bashkëshorten e përsosur për t’u martuar me të dashurin e tyre të ndjerë, nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh një kufomë tjetër të pamartuar ose një burrë të gjallë të gatshëm që të martohet me shpirtin.

Dasmat me fantazma janë të rralla sot, por ato ndodhin herë pas here

Dasmat me fantazma sot nuk janë aq të zakonshme sa dikur, kryesisht sepse jo të gjithë janë adhurues të traditës rrëqethëse të martesës me të ndjerin.

Dhe përderisa edhe sot disa familje të të ndjerit përpiqen t’i nderojnë të dashurit e tyre duke u siguruar atyre një familje për jetën e mëvonshme, gjithmonë do të ketë nga ata, si grabitësit e varreve, që pikëllimin e të tjerëve e shohin si një mundësi për të fituar para.

Vetëm në vitin 2015, u raportua se 14 kufoma femra u vodhën nga një fshat në provincën Shanxi, raporton BBC. /Telegrafi/