LAJMI I FUNDIT:

Hipokriti që bën nusen në dasmë dhe arkivolin në mort

Hipokriti që bën nusen në dasmë dhe arkivolin në mort
-->

Në ditët e para pas tërmetit e kam përshkruar Edi Ramën si një njeri, që, në panikun e përgjegjësisë, vuri në veprim të gjitha aftësitë e tij aktoriale, manipulative për t’ia veshur përgjegjësitë e pasojave të tërmetit natyrës, Zotit e kujtdo qoftë, përveç vetes dhe të tijve. Në ditët në vazhdim, me ç’po na shohin sytë, ky panik, bashkuar me çrregullimet e rënda narcizistike të personalitetit, të manipulatorit pervers, po e bën gjithnjë e më të surreal e më të rrezikshëm. Ka një shprehje frënge për narcizistët si Rama që thotë: “Ata duan të jenë në rolin e nuses në dasmë dhe të arkivolit në mort”.

Ne rastin e tërmetit, aktori në fjalë po arrin kulmin e karrierës së tij, sepse, më herët, e kemi parë në rolin e nuses në dasmë, kurse me tërmetin po e shohim edhe në rolin e arkivolit në mort, madje duke arritur një sintezë tragjikomike të dasmës me mortin. Të tilla janë shfaqjet që po jep nëpër zonat e tërmetit, i ndjekur hap pas hapi nga kamerat e ERTV, ku herë bën gallatë me fëmijët e traumatizuar nga vdekja e prindërve e humbjet e shtëpive, herë u jep urdhër qenve dhe servilëve që të heshtin në hallin e madh që e ka gjetur popullin; ku edhe transmeton non stop aktivitetin e tij (edhe kur pi kafen në zyrë), edhe i urdhëron të zotët e shtëpive që viziton që të mbyllin televizorin se sipas tij është si të kesh shejtanin në shtëpi; ku një ditë e shohim t’i dridhet dora në një formë që të bën të mendosh se vuan nga një parkinson i avancuar, e ditën tjetër e shohim të ngrejë me një dorë në ajër, gjithë gaz, një foshnje dhe ta rrotullojë para kamerave si aeroplan (ndërkohë që ai i shkreti rrinte si i ngrirë), duke na bërë të mendojmë se dridhja e dorës ishte një lojë teatrale për të ngjallur ndjenja përdëllimi te shqiptarët.

Janë shfaqje, në të cilat e ke vështirë të thuash nëse po bën nusen në dasmë, arkivolin në mort apo të dyja bashkë, por që dallohen edhe nga një hipokrizi e madhe, nëse me termin kuptojmë aktorin pervers, që ndërron faqe sipas rolit që i intereson, që tjetër është e tjetër duket, tjetër flet dhe tjetër mendon. Në fakt, “hipokrit” e ka burimin nga fjala greke “hipokrites”, që do të thotë “aktor”.

Në vazhdën e këtyre hipokrizive e pamë para disa ditësh të luajë rolin e arkivolit në mort në emisionin e Bruno Vespës “Porta a Porta”. Me një pamje të pikëlluar, i veshur me kostum dhe kravatë të zezë, kërkoi t’i bënte italianët të mendonin se çfarë djali inteligjent e me shpirt të ndjeshëm u ka rënë për hise si Kryeministër shqiptarëve, si dhe që të derdhnin ndihma në numrin e llogarisë bankare që ka hapur qeveria. Ato 15-20 minuta intervistë, ishin një shfaqje aktoriale gënjeshtrash manipulative.

Lajmi i shpërndarë në rrjet prej të birit, ku thoshte se edhe një e afërmja e tij kishte vdekur, i amplifikuar nga makina e propagandës në lajmin e vdekjes së një njeriu të shtrenjtë të familjes kryeministrore: të dashurës apo të fejuarës së të birit, kishte arritur edhe në veshët e Vespës, i cili, me një pamje ngushëlluese, e filloi intervistën me këtë lajm. Kryeministri e kaloi ngushëllimin duke kaluar te pikëllimi i tij për të gjithë shqiptarët. Ndoshta i erdhi zor nga i biri, i cili nuk e ka quajtur “të dashur” apo “të fejuar”, por “të afërme” dhe këtë e ka bërë o për të ruajtur diskrecionin, o pse nuk e ka pasur të dashur, aq më pak të fejuar, dhe, në fakt, nuk kemi parë asnjë fotografi të të birit me këtë vajzë, aq më pak me vjehrrin e mundshëm. Por kur do të bësh arkivolin në mort, e vërteta apo diskrecioni nuk kanë pikë rëndësie. Aq më pak kur një sendërgji e tillë të çliron nga përgjegjësia e vdekjes së të ndjerës e 50 të tjerëve, sepse në këtë rast distancohesh nga vrasësit dhe bashkohesh me viktimat.

Gënjeshtrat manipulative vazhduan, pikërisht me heshtjen ndaj përgjegjësive njerëzore për tragjedinë. Italianët nuk dëgjuan asnjë fjalë, si nga intervistuesi, edhe nga të intervistuarit, për këto. Sigurisht, ata nuk dinin se nusja në dasmë dhe dasmorët e saj ishin tallur me Presidentin, kur ky, para disa muajsh, u përpoq të vinte alarmin për rreziqet e tërmetit? Ata nuk morën asnjë shpjegim se përse, sipas “Il Fatto Quotidiano”, mungonin hartat kadastrale të pallateve të shembura apo përse trupat e shpëtimit kishin punuar me duar e me lopatë e jo me qen e mjetet që nevojiten në këto raste? Rama u tha italianëve se ishin shembur vetëm shtëpitë e vjetra, pallatet e komunizmit (për të cilat nënkuptohej se fajin e ka tërmeti dhe komunizmi) dhe … ndoca ndërtime pa leje andej këtej. Asnjë fjalë për pallatet e dhëna me leje në Durrës nga 2007 deri m 2019 nga bashkëpunëtori i tij më i afërt, Gjushi, një pjesë e madhe të ndërtuara nga ish-deputeti socialist Gashi, që, nga burime të besueshme, thuhet se janë 30 për qind e pallateve të dëmtuara rëndë në Durrës.

Hipokrizia e Ramës shkëlqeu edhe me Sgarbin, i cili, kur Rama tha se arkitekti Casamonti do të merret me projektimin e ndërtimeve posttërmet i tha: “Kujdes se ai ka bërë Figline-n”. Zgarbi e kishte fjalën për një projekt korruptiv (që e ka çuar Casamontin në burg), ku parashikohej restaurimi i një ndërtese të vjetër historike duke e kthyer në diçka të stërmadhe, jashtë proporcioneve me kontekstin e qytetit Figline, për çka Sgarbi është shprehur se: “Është krim që në vendlindjen e Bruneleschit të thërresësh një arkitekt për të ngritur një përbindësh”. Tamam si puna e përbindëshit që ka realizuar Edi Rama dhe Casamonti në stadiumin “Qemal Stafa” (korrupsion plus shkatërrim i trashëgimisë), por me ndryshimin se në Figline u ndërpre nga ndërhyrja e magjistraturës. Por hipokritit nuk i bëri syri tërr kur iu përgjigj: “Vërtet Casamonti ka bërë Filinen, por ka bërë edhe stadiumin tonë, që është tamam ashtu si i do ti gjërat, ku e vjetra ruhet”.

Një tjetër kulm manipulativ aktori e arriti kur, për t’u treguar italianëve se sa njerëz të mirë jemi ne shqiptarët, prandaj e meritojmë ndihmën e tyre, tha se Shqipëria është i vetmi vend që ka pasur më shumë hebrenj pas Luftës sesa para Luftës, me demek ngaqë shqiptarët i karakterizon kulmi i humanizmit në Europë. Nuk dua këtu të përgënjeshtroj këtë mit që nuk e ka shpikur Rama, por të qesh me shtresëzimin e ri fantastik që i shtoi mitit pinoku. Duke menduar italianët katolikë, tha se priftërinjtë katolikë shqiptarë paskan bërë mrekullira në atë kohë, që nuk i ka bërë askush: kanë pagëzuar hebrenjtë për t’i shpëtuar nga holokausti. Po manipulonte një target të huaj duke harruar se po godiste, jo vetëm të vërtetën, por, indirekt, edhe një pjesë jo të vogël të popullit shqiptar. Sepse është e ditur se në Prishtinë, që ishte pjesë e shtetit shqiptar asokohe, ka pasur një kamp përqendrimi ku kanë humbur jetën 200 hebrenj, madje se shqiptarët e Kosovës kanë ngritur edhe batalionin SS Skanderbeg, për arsye që s’kanë të bëjnë me fenë, por me nacionalizmin.

Por, përtej së vërtetës historike, sipas së cilës edhe nëse mund të flitet për një tolerancë të shqiptarëve ndaj hebrenjve, kjo i atribuohet trashëgimisë së perandorisë multireligjioze osmane, të paktën të përmendte edhe ndonjë hoxhë, baba apo prift ortodoks, jo të përmendte vetëm klerin e një minorance 10 për qind për shpëtimin e hebrenjve në një popullsi që ka edhe 70 për qind myslimanë dhe 20 për qind ortodoksë, pa llogaritur shqiptarët e Kosovës. Po hipokriti nuk merakoset për këto detaje. Shqiptarëve u interesojnë vetëm lekët – thotë me vete – prandaj do ta duartrokasin këtë gjetje fantastike. Pastaj, edhe për myslimanët e kam gati Kuranin në xhepin tjetër. Dhe kështu, pas ca ditësh, u shfaq në Stamboll para investitorëve turq, të cilëve u tha: “Kurani i lavdishëm na mëson se asnjë gjethe nuk e prek tokën pa lejen e Zotit. Kurani i lavdishëm na mëson se katastrofat janë sprova për njerëzimin që të spastrohet nga mëkatet e të pendohet”. “Cila është fytyra më e bukur në Islam, sipas profetit të Zotit? – paqja qoftë mbi të -: të ndihmojmë ata që njohim dhe ata që nuk njohim”.

E pra, në këto ditë të jashtëzakonshme, ku kriza morale është më e madhe se fatkeqësia materiale, ku kërkohet dashuri e vërtetë dhe jo shtirje aktoriale, çështja shtrohet: a mund t’i besohet pastrimi ynë nga mëkatet, pendimi ynë, krijimi i solidaritetit një hipokriti si Edi Rama, që këtej shet humanizmin dhe tolerancën e shqiptarëve dhe më anë tjetër, për të fyer shqiptarët që i kërkojnë përgjegjësitë, përdor edhe qentë që lehin? (“Hiqe more, atë analist!”, i tha një banori për qenin që po lehte jashtë derës.)

Meqenëse po flet kaq shumë për Kuranin dhe Profetin, le ta japim përgjigjen me Kuranin dhe Profetin: Ja ç’thotë Muhameti për hipokritët: “Kush ka katër karakteristikat e mëposhtme, është një kryehipokrit […]: 1. Kur sa herë i besojnë, tradhton. 2. Kur sa herë flet, gënjen. 3. Kur sa herë bën një pakt, tregohet i pabesë. 4. Kur sa herë grindet, sillet pa respekt, në mënyrë të keqe dhe fyese”. Dhe ja se ç’thotë Kurani për hipokritët, që mashtrojnë me oratorinë dhe paraqitjen e tyre: “Kur ju i shihni ata, pamja e tyre e jashtme ju pëlqen: nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë, ata janë si trungje që rrinë në këmbë të mbajtur me cungale (pa rrënjë). Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. (Kujtoni historinë e qenit F.L.). Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre. Mallkimi i Allahut rëntë mbi ta! Sa shumë janë larguar (nga e vërteta).!”

Ata që preferojnë urtësinë e Krishtit ndaj asaj të Muhabetit, le të lexojnë se çfarë thotë ai në Ungjill për farisenjtë. Unë po e mbyll me një thënie popullore: “Hipokriti bën keq punët e mira dhe bën mirë punët e këqija”. /Panorama/