LAJMI I FUNDIT:

Hiper-vetura Rimac Nevera vendos rekord të veturave elektrike të ligjshme rrugore në Festivalin e Shpejtësisë Goodwood

Hiper-vetura Rimac Nevera vendos rekord të veturave elektrike të ligjshme rrugore në Festivalin e Shpejtësisë Goodwood

Rimac Nevera – vetura më e shpejtë elektrike në botë – ka vendosur një rekord të ri, duke u bërë vetura më e shpejtë elektrike e ligjshme për rrugë në sektorin e ngjitjes së kodrës në Festivalin e Shpejtësisë Goodwood.

Hiper-vetura elektrtike kroate ishte një nga 10 finalistët që morën pjesë në “Sunday Shootout” e cila e mbylli eventin e Festivalit të Shpejtësisë Goodwood 2023, dhe ishte konkurrenti i vetëm i ligjshëm për përdorim rrugor në mesin e veturave garuese.


Në një video të vendosur në YouTube, Nevera sektorin e ngjitjes në kodër me gjatësi prej 1.87 kilometrave e përfundoi në 49.32 sekonda – një kohë kjo e cila organizatorët e Goodwood dhe Rimac pretendojnë se është një rekord i ri për një veturë elektrike e cila mund të drejtohet edhe në rrugë normale, raporton Drive, transmeton Telegrafi.

Përderisa koha e Rimac Nevera ishte më e shpejta për një veturë elektrike të ligjshme rrugore, rekordi i Goodwood mbahet nga McMurtry Spéirling me bateri – një veturë speciale garash e cila përdori dy ventilatorë të mëdhenj nën kabinën e saj për të gjeneruar dy ton forcë në rrugën drejt një kohe prej 39,08 sekonda në vitin 2022.

Pasi që Festivali i Shpejtësisë Goodwood nuk është një event zyrtar i garave, rekordet e sakta të kohëve në ngjitjen e kodrës janë të vështira për t’u gjetur, edhe pse vetura më e shpejtë e ligjshme për rrugë e cila kishte marrë pjesë në ngjitjen e kodrës ishte një Nissan GT-R Nismo – veturë kjo e cila në vitin 2014 kishte arritur një kohë prej 49.27 sekondave.

Rekord i ri i Nevera pason vendosjen e një rekordi të vendosur për shpejtësinë maksimale të arritur nga një veturë elektrike, kur në nëntorin e 2022-shit arriti një shpejtësi prej 412kMh, në pistën Automotive Testing Papenburg të Gjermanisë.

Rimac Nevera fuqizohet nga katër motor elektrike të cilët prodhojnë deri në 1,427kW dhe 2,360 njuton metër fuqi rrotulluese, me energjinë që furnizohet nga një bateri prej 120kWh. /Telegrafi/