“Hidrodrini” rrit shujtën për punëtorët, ndan ndihmë edhe për Bajram

Bordi i Drejtorëve të KRU “Hidrodrini” Sh.A. ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, ku janë shqyrtuar disa pika të rendit të ditës, ndërsa një pjesë e tyre janë bartur për rishqyrtim në takimin e ardhshëm, me plotësime dhe ndryshime.
Sipas njoftimit të kompanisë, me vendim të Bordit është aprovuar kërkesa e Sindikatës së punonjësve, me ç’rast është rritur vlera e shujtës për 2 euro.
Po ashtu, është vendosur edhe ndarja e një mbështetjeje njëherëshe financiare për të gjithë punëtorët, me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Në mbledhje, krahas anëtarëve të Bordit dhe Kryeshefit Ekzekutiv, kanë marrë pjesë edhe Zyrtari Kryesor Financiar, Besnik Zeqiraj, si dhe sekretari Ardit Berisha.
Nga “Hidrodrini” bëhet e ditur se gjatë takimit janë diskutuar dhe vlerësuar edhe çështje të tjera të brendshme me rëndësi për kompaninë, në interes të drejtpërdrejtë të konsumatorëve në zonën e mbulueshmërisë./Telegrafi/




















































