LAJMI I FUNDIT:

Hetimi i krimeve elektorale, ‘Dosja 184’ i kalon prokurorisë së Dibrës

Hetimi i krimeve elektorale, ‘Dosja 184’ i kalon prokurorisë së Dibrës
Foto: Ilustrim

Dosja 184, ku po hetohet manipulimi i mundshëm i votave në zgjedhjet për bashkinë e Dibrës në 2016-ën, ka kaluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda te Prokuroria e Dibrës. Vendimi është marrë nga prokurori i çështjes, Klodian Braho, menjëherë pas ndryshimit të veprës penale në këtë dosje nga “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”.

Pavarësisht se Prokuroria e Dibrës ka kundërshtuar këtë vendim të ‘Krimeve të Rënda’, edhe për arsye se nuk ka kapacitetet për ta ndjekur, vendimi ka mbetur në fuqi.


Në një reagim të Prokurorisë së Përgjithshme, që ka për detyrë të zgjidhë mosmarrëveshjet në fazën e hetimit paraprak mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, theksohet se ky institucion nuk e ka kompetencën që të shfuqizojë aktet, urdhrat apo vendimet e prokurorit të çështjes

“Duhet theksuar se çdo vendimmarrje e prokurorit, qoftë edhe ajo për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale, kontrollohet nga gjykata, e cila përpara se të fillojë shqyrtimin e kërkesave të prokurorit, verifikon nëse e ka kompetencën lëndore apo tokësore për gjykimin e çështjes”, sqarohet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Ky vendim ka sjellë edhe reagimin e Partisë Demokratike, e cila akuzon drejtuesit e prokurorisë se në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama po përpiqen të varrosin dosjen 184. PD pretendon se në këtë dosje janë kapur në manipulim votash zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste si Damian Gjiknuri, Pjerin Ndreu apo Ulsi Manja.

Materiale nga dosja 184 u publikuan disa javë më parë edhe nga gazeta gjermane “Bild”. /TCH/