LAJMI I FUNDIT:

Hetimet kundër FETO-s, urdhër-arrest për 211 të dyshuar

Hetimet kundër FETO-s, urdhër-arrest për 211 të dyshuar

Në kuadër të hetimit kundër elementeve të organizatës terroriste FETO të infiltruar brenda Forcave të Armatosura Turke, Prokuroria lëshoi urdhër për arrestimin e 176 të dyshuarve, raporton Anadolu Agency (AA).

Prokuroria e Stambollit urdhëroi arrestimin e 176 anëtarëve aktivë të ushtrisë turke të akuzuar për bashkëpunim me organizatën terroriste FETO dhe kontaktet direkte me udhëheqësit e grupit terrorist.

Ky është një hetim mbi elementet terroriste të FETO-s të infiltruar brenda Forcave të Armatosura Turke. Që nga nëntori 2017, Prokuroria ka zbuluar gjithsej 2.287 anëtarë të dyshuar të ushtrisë për pjesëmarrje në përpjekjen e dështuar të grusht shtetit, prej të cilëve 1.233 të dyshuar u arrestuan.

Duke vepruar sipas urdhrave të Prokurorisë, policia nisi një operacion për kapjen e të dyshuarve.

Në të njëjtën kohë, Zyra e Prokurorisë në Izmir lëshoi urdhër për arrestimin e 35 të dyshuarve, përfshirë 20 anëtarë aktivë të ushtrisë turke, pesë të suspenduar më parë dhe dhjetë civilë.

Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për përpjekjen e përgjakshme të grusht shtetit në Turqi në natën e 15 korrikut 2016.

Kjo është një organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen, me banim në SHBA, ekstradimin e të cilit Turqia e ka kërkuar zyrtarisht nga Washingtoni.

Ithtarët e kësaj organizate terroriste janë avancuar në detyrë duke kurdisur provimet në institucionet shtetërore për vite me radhë. Pastaj, në dhjetor të vitit 2013, anëtarët e FETO-s në gjyqësorin e Turqisë u përpoqën të ndjekin penalisht një numër të zyrtarëve të lartë përmes procesit të montuar për korrupsion.

Disa vjet më vonë, ndodhi përpjekja e përgjakshme nga terroristët e FETO-s, kur më 15 korrik oficerët e ushtrisë turke besnike ndaj kësaj organizate terroriste nisën tentativën e grusht shtetit.

Hetimet mbi organizatën terroriste FETO kanë treguar se kjo është një rrjet global që nuk përbën kërcënim vetëm për Turqinë, por për çdo vend tjetër në të cilin është aktiv, gjë të cilën zyrtarët turq e kanë thënë në mënyrë të përsëritur. Gjatë përpjekjes së grusht shtetit në Turqi, 251 persona u martirizuan ndërsa reth 2.200 të tjerë u plagosën.