LAJMI I FUNDIT:

Hetime dhe debat mbi pronat e ushtrisë në Shqipëri

Hetime dhe debat mbi pronat e ushtrisë në Shqipëri

Në Shqipëri janë ngritur akuza në lidhje me disa prona të forcave të armatosura nga ish-drejtuesi i forcave detare, Artur Meçollari. Në dy padi të depozituara prej tij në Prokurorinë e Posaçme, thuhet se zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë kanë shpërdoruar detyrën. Ai thotë se ata kanë lejuar ndërhyrje në disa prona të veçanta për të cilat duhet marrë më parë miratimi i Presidentit. Zëri i Amerikës i ballafaqoi pretendimet e tij me ato të institucioneve shtetërore dhe sjell materialin në vijim.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, ka çelur hetime paraprake mbi dy kallëzime penale të bëra në mars dhe prill të vitit të 2021 nga Artur Meçollari, ish-drejtues i lartë i forcës detare. Në to përfshihen zyrtarë të tanishëm dhe ish – zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Forcës Detare dhe Policisë Ushtarake.


Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zoti Meçollari i akuzon ata, se kanë kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me dy aktivitete private të lejuara në pronat në Planin e Vendosjes dhe të Përhapjes, siç njihen zonat ku janë të dislokuara forcat detare. (Këto prona janë pjesë e strukturës dhe kërkesave operacionale të Forcës Detare) Çdo ndryshim i këtyre pronave bëhet me propozim të Ministrit të Mbrojtjes dhe miratohet nga Presidenti. Zoti Meçollari, në dy kallëzimet e tij, thotë se ndryshimet në plan janë bërë pa marrë miratimin e Presidentit.

“Njëra padi është për shpërdorim detyre në lidhje me dhënien me qera të të gjithë bazës detare të Limionit Sarandë, duke mos lënë asnjë asnjë metër katror për forcën detare, dhe e dyta është për bazën detare të Shëngjinit, ku është ndërtuar brenda pronës që ndodhet në planin e vendosjes dhe të përhapjes të Forcës Detare, që është e ndaluar kategorikisht me ligj”- tha  Artur Meçollari, ish Zv. Komandant i Forcës Detare.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në lidhje me dhënien me qira të bazës detare në gjirin e Limionit Sarandë, rezulton se në vendimin numër 514 të Këshillit të Ministrave, parashikohet dhënia e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifë 1 euro /kontrata ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës, për pasurinë shtetërore me sipërfaqe të përgjithshme rreth 265 mijë metër katror. Brenda këtij territori ndodhet dhe një pronë me sipërfaqe rreth 39 mijë metra katror me numër 696, që sipas Zotit Meçollari, bën pjesë në planin e vendosjes dhe të përhapjes, për dhënien me qera të së cilës, duhet marrë më parë miratimi i Presidentit të Republikës.

Në projekt-kontratën që Zëri i Amerikës siguroi përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përveç ushtrimit të veprimatrisë në fushën e turizmit për 20 vjet, parashikohet dhe ndërtimi nga shoqëria qiramarrëse, i një bankine për forcat detare në gjirin e Limionit në Sarandë. Ish drejtuesi i lartë i Forcës Detare, Artur Meçollari thotë, se në kohën kur ai ishte ende në detyrë, ka patur një propozim të forcës detare për çështjen e bazës por që nuk është marrë në konsideratë.

“Meqë pala kontraktore propozonte ndërtimin e një baze të re “pro buono” për forcat e armatosura, atëherë dhe forcat detare bënë kërkesën që ajo të ndërtohej më e vogël në sipërfaqe se ajo aktuale dhe pjesa tjetër të jepej me qera. Por për këtë duhej të kalonte patjetër për miratim nga Presidenti i Republikës në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. VKM Nr. 54 nuk mund të jetë bazë ligjore, për dhënien me qera të sipërfaqes prej 39.446 metër katror, pjesë e planit të vendosjes dhe përhapjes”- tha  Artur Meçollari, ish Zv. Komandant i Forcës Detare.

Në përgjigje të interesimit të Zëri i Amerikës pranë Presidentit të Republikës, lidhur me dhënien me qera të kësaj prone të ushtrisë, thuhet se “Institucioni i Presidentit të Republikës, nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Minstria e Mbrojtjes për nxjerrjen jashtë planit të vendosjes dhe përhapjes të FA të pronës nr. 696 (Baza Detare Ndihmuese, Limion, Sarandë)”. Sipas zyrës së Presidendit kjo pronë me sipërfaqe 39.446 m² figuron brenda planit të vendosjes dhe përhapjes së FA.

Në përgjigjen e Presidentit ngrihet shqetësimi për “situatën e pronave brenda planit të vendosjes dhe përhapjes të FA, si dhe statusin e tyre të ndryshuar në kundërshtim me ligjin”.

VOA iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes, në lidhje me bazën ligjore të dhënies me qera të pronës nr. 696 me sipërfaqe rreth 39 mijë metra katror, në Gjirin e Limionit në Sarandë. Në përgjigjen zyrtare thuhet se ajo është dhënë me qera bazuar në një vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 54, të vitit 2014 që përcakton kritere dhe proçedura për dhënien me qera të pasurive shtetërore.

Ministria e Mbrojtjes sqaron më tej, “se dhënia me qera e bazës detare në Limion Sarandë, mbështetet në vendimin e mësipërm të KM, pasi në Ligjin ku Presidenti bazohet për miratimin e planit përhapjes nuk parashikohen proçedurat e dhënies me qira të pronës shtetërore në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes”.

Nga ballafaqimi i dy përgjigjeve rezulton se Ministria e Mbrojtjes dhe e Presidenti i Republikës bazohen në dy akte ligjore të ndryshme për dhënien me qera të pronës me nr. 696, në bazën detare të Limionit në Sarandë.

Veç rastit të Limionit ish Zv. Komandat i Forcës Detare Artur Meçollari, ka depozituar dhe një padi të dytë në SPAK, lidhur me ndërtimin e një objekti, nga një subjekt privat, në një pronë të Forcës Detare, pjesë e planit të përhapjes në bazën detare të Shëngjinit. Zoti Meçollari ngre shqetësimin, se si u lejua që të kryheshin punime intensive për 4 muaj nga nëntori 2020- mars 2021, brenda një baze që ruhet nga roje të armatosura.

“Padia ime për Shëngjinin përfshin shpërdorim detyre për drejtues të Forcave të Armatosura, Forcës Detare dhe të Policisë Ushtarake, pasi në një periudhë 4 mujore, nga nëntori 2020- mars 2021, është lejuar me vetëdije, ndërtimi i një objekti 4 katësh brenda pronës së Forcës Detare, në planin e vendosjes dhe përhapjes. Ligji për kthimin e kompensimin e pronave e ndalon kthimin e pronës në planin e përhapjes, që miratohet nga Presidenti” – vijoi Artur Meçollari, ish Zv. Komandant i Forcës Detare./VOA