eksperti-banner

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së menaxhimit të projekteve urbane në Komunën e Gjilanit, duke ngritur akuza për mungesë planifikimi urban dhe zhvillimor.

Haziri ka deklaruar se Bulevardi “Ibrahim Rugova” është “masakruar pa leje, pa plan urban dhe pa plan zhvillimor”, duke shtuar se tash e pesë vite, sipas tij, nuk është mundësuar as procesi i zonimit urban.


Ai ka kërkuar gjithashtu reagim nga Prokuroria e Shtetit, duke pretenduar se projektet në qytet po realizohen pa transparencë dhe planifikim të duhur institucional.

Sipas Hazirit, në Gjilan nuk janë përfunduar disa projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë autostradën, stadiumin, rrugën e Prishtinës, atë të Kllokotit dhe të Kumanovës, si dhe nuk janë realizuar projektet për kolektorët dhe impiantin e ujërave të zeza.

Ai ka kritikuar edhe gjendjen e Parkut të Gjilanit, duke thënë se po dëmtohet nga ndërhyrjet aktuale.

Haziri ka theksuar se të ashtuquajturat “projektet e Lutës”, të cilat sipas tij kanë siguruar rreth 178 milionë euro financim nga institucione financiare ndërkombëtare, nuk janë duke u zbatuar për shkak të mungesës së vullnetit dhe kapaciteteve menaxhuese.

“Fatkeqësisht, mungesa e dijes dhe e vullnetit për t’i zbatuar po i mban këto projekte peng dhe po e privon Gjilanin nga zhvillimi që meriton”, ka deklaruar ai.

Në fund, Haziri ka theksuar se “Gjilani i përket qytetarëve” dhe ka kritikuar ashpër drejtimin aktual të komunës.

Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga institucionet lokale të Gjilanit lidhur me këto deklarata.