LAJMI I FUNDIT:

Haxhiu dëshmon në Gjykatë kundër Selimit

Haxhiu dëshmon në Gjykatë kundër Selimit

Deputeti Bekim Haxhiu sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dëshmuar për rastin e rrahjes me deputetët e Vetëvendosjes, Visar Ymerin e Rexhep Selimin dhe ish-deputetin e Lëvizjes, Florin Krasniqin së bashku me truprojën e tij Besart Bujupi.

Deputeti Haxhiu ka thënë se nuk ka pasur debat mes tij dhe të akuzuarve, por mes Rexhep Selimit dhe Latif Gashit. Ai ka dëshmuar se në dalje të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ka qenë një debat mes Gashit dhe Seilmit. Selimi e kishte kundërshtuar Gashin për një intervistë në medie lidhur me policinë sekrete të deputetit të Vetëvendosjes.


“Unë kam qenë aty afër sepse derisa këta bisedonin me ton të ngritur, neve na është pamundësuar dalja sepse ishin në derë. Posa kanë dal jashtë gjendja është acaruar. I akuzuari Rexhep Selimi e ka shtyrë deputetin Latif Gashi dhe ky ia ka kthyer me dy grushte e Rexhep Selimi i cili ka rënë në tokë”, ka thënë Haxhiu duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, raporton Koha.net

Derisa gjatë seancës Selimi ka reaguar duke thënë: “Po rren, pse po rren?”.

Gjyqtari ia ka tërhequr vërejtjen dhe ka thënë se këtë e ka bërë edhe për Haxhiun që dëshmia e rrejshme është vepër penale. Haxhiu ka treguar se ai ka ndërhyrë për t’i ndarë palët dhe pasi është kthyer në Kuvend ka hasur në Rexhep Selimin, Visar Ymeri, Florin Krasniqi dhe truprojën Besart Bujupi dhe kanë qenë disa truproja tjerë dhe vozitës të tyre.

“Aty i kam sugjeruar Selimit që ta tejkaloj këtë problem me Latën sepse kemi qenë miq më herët. Kjo bisedë ka qenë miqësor deri në një moment. Për një moment Rexhep Selimi e ka ndërruar diskursin e bisedës dhe ka filluar të sillet me agresivitet ndaj meje por unë i kam thënë se s’ke nevojë të sillesh me mua kështu se problemin nuk e ke me mua. Ai një herë ka pasur ton të lartë dhe pastaj ka provuar të më godet. Më ka goditur rrëshqitazi në pjesën e mjekrës me grusht. Unë iu kam kundërpërgjigj dhe e kam goditur në fytyrë”, ka dëshmuar “Kamishi”.

“Pastaj nga mbrapa jam sulmuar nga Besart Bujupi e aty ka qenë edhe disa tjerë edhe Visar Ymeri”.