LAJMI I FUNDIT:

Hasani pret homologun turk: Marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë – Fidan kërkon pastrimin e “mbetjeve të fundit të FETO-s”

Hasani pret homologun turk: Marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë – Fidan kërkon pastrimin e “mbetjeve të fundit të FETO-s”

Ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani u shpreh sot se “Shqipëria dhe Turqia do të forcojnë bashkëpunimin dypalësh por edhe me partnerët evropianë dhe në NATO për përballjen me sukses me sfidat e sigurisë në të gjitha dimensionet”.

Hasani priti sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimet globale dhe rajonale.


Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit dypalësh, Hasani vlerësoi veçanërisht ndihmën që ka dhënë Turqia ndaj vendit tonë në rastin e tërmetit të vitit 2019, pandemisë por edhe krizës energjetike.

“Sot ne zhvilluam takimin e dytë të grupit për Dialog Politik, një mekanizëm i paraparë nga deklarata e partneritetit strategjik e nënshkruar në 6 janar të vitit 2021 në Ankara. Ky takim e forcon edhe më tej karakterin strategjik të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët në rrafshin dypalësh, rajonal dhe global”, tha Hasani.

Intensifikimi i dialogut politik mes dy vendeve, sipas Hasanit, “është shoqëruar me një rritje kuptimplotë bashkëpunimi dypalësh duke e konkretizuar atë me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh në fushën e teknologjisë, transportit, energjisë, mbrojtjes, shëndetësisë, arsimit, mjedisit, kulturës etj”.

Hasani vlerësoi se aktualisht marrëdhëniet mes vendeve janë të shkëlqyera në çdo fushë, si në nivelin politik edhe për sa i përket shkëmbimeve në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe atë diplomatike, ku kanë njohur rritje e konsolidim.

Duke u ndalur te bashkëpunimi në fushën ekonomike e tregtare, Hasani theksoi se investimet turke në vendin tonë kapin shifrën e 3.7 miliardë euro, me më shumë se 15 mijë të punësuar në 830 kompani turke që operojnë në Shqipëri.

“Konstatuam se niveli i shkëmbimeve tregtare në kuotën e gati 760 milionë euro nuk pasqyron realisht potencialin ekzistues mes dy vendeve, ndonëse klima e të bërit biznes në Shqipëri është tejet e favorshme. Jemi të vendosur që ky tregues të kalojë shifrën e 1 miliard eurove”, tha Hasani.

Hasani u ndal po ashtu edhe te bashkëpunimi rajonal dhe mundësitë e përmirësimit të marrëdhënieve bazuar në parimin e fqinjësisë së mirë.

“Pas përfundimit me sukses të mandatit si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Shqipëria do të vazhdojë angazhimin shumëpalësh në nisma të tjera. Përmbushja me sukses e angazhimeve të ndërmarra do të kërkojë bashkëpunimin e ngushtë me Turqinë”, tha ai.

Kryediplomati shqiptar vlerësoi po ashtu edhe mbështetjen e Turqisë për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe përshëndeti miratimin nga parlamenti turk të rezolutës për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Ministri Hasani nënvizoi se me homologun turk ndau vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë, duke shprehur mbështetjen e palëkundur për sovranitetin territorial në kushtet e sfidave të reja.

Në anën tejtër, Fidan vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, të cilat siç tha duhet të kalojnë në një stad më lart në shkëmbimet ekonomike.

Fidan bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për çështjen e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës në Gaza si dhe për çështjen e Fetullah Gulen.

Kryediplomati turk nënvijëzoi se ndër të tjera kishte biseduar me homologun e tij për hapat që duhen ndjekur për të pastruar ato që i cilësoi ‘mbetjet e fundit të FETO në Shqipëri’, organizatës së Fetullah Gulen, të cilën Turqia e cilëson terroriste.

“Ne bëmë edhe diskutime për luftën kundër terrorizmit. Diskutuam për pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO në Shqipëri, ndaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje dhe mbi hapat që mund të hidhen konkretisht për këtë”, tha ministri i Jashtëm i Turqisë.

“Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer në sektorë të ndryshëm dhe kemi marrëdhënie shumë të mira. Kemi pasur mundësi të marrim pjesë në projekte të përbashkëta. Kemi bërë një takim frytdhënës dhe do të vijojmë takimet dhe me Kryeministrin Edi Rama. Gjatë takimeve do të fokusohemi tek marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe rritjen e tyre edhe më tej”, tha Fidan.

“Turqia e Shqipëria janë të lidhura shumë fort nga ana historike, të pashkëputshme. Për këtë ka ndihmuar solidariteti i pashembullt mes Presidentit tonë dhe Kryeministrit Rama”, shtoi ai.

“Ne kemi zhvilluar marrëdhëniet tona në shumë fusha, si tregti, diplomaci, rajon, edukim, teknologji, bujqësi, turizëm, investime reciproke…etj. Ka shumë fusha ku do të vijojmë bashkëpunimin, siç është njohja e patentave, vizat…etj”, tha Fidan.

“Brenda 2024 duam të zhvillojmë Këshillin e Parë strategjik mes dy vendeve, platformë e rëndësishme për ne. Shpresojmë që edhe vëllimi i tregtisë mes dy vendeve të shkojë në 2 miliard dollarë brenda këtij viti. Dje patëm bisedime me biznesmenët turq, për të parë fushat ku mund të investohet në Shqipëri. Bashkëpunimi që kemi aktualisht nuk është sa kapaciteti që kemi. Kemi më shumë mundësi për të bashkëpunuar. Për këtë edhe qarqet e biznesit duhet të tregojnë angazhim”, tha ai. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

“Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Siguri
Sa realist është anëtarësimi i Kosovës në KiE?

Sa realist është anëtarësimi i Kosovës në KiE?

Lajme
Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Agron Mustafës, ngarkohet se i shkaktoi dëm afër 7 milionë euro Telekomit

Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Agron Mustafës, ngarkohet se i shkaktoi dëm afër 7 milionë euro Telekomit

Drejtësi
Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kurti optimist, shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Kurti optimist, shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Lajme
Kalo në kategori