LAJMI I FUNDIT:

Harta e vitit 1507 ku për herë të parë shihet kontinenti i ri me emrin e ri Amerikë

Harta e vitit 1507 ku për herë të parë shihet kontinenti i ri me emrin e ri Amerikë

Disa qindra vjet më parë, kur pjesa më e madhe e botës ishte e mistershme dhe e panjohur, dy humanistë evropianë u bënë bashkë për të ndërtuar një hartë të jashtëzakonshme të botës.

St-Dié-des-Vosges është një qytet i vogël me gjelbërim, në luginën Meurthe në verilindje të Francës. Shtrihet 68 kilometra në jugperëndim të Strasburgut në Francë, 93 kilometra në veriperëndim të Bazelit në Zvicër dhe 74 kilometra në veriperëndim të Freiburgut në Gjermani.


Sot, bazuar në hartat moderne dhe metodat precize që matin gjatësinë dhe gjerësinë, mund të caktojmë me saktësi se ku ndodhet ky qytet në planet. Sidoqoftë, pak shekuj më parë, kur pjesa më e madhe e botës ishte e mistershme dhe e panjohur, një grup humanistësh evropiane u bënë bashkë për të ndërtuar një hartë të jashtëzakonshme të botës – e tillë që ndryshonte në mënyrë radikale nga pararendëset, efektet e së cilës janë ende të pranishme sot.

Harta e printuar në vitin 1507 ka një madhësi 1.4 me 2.5 metra, që përputhet me ambicien për të përmbledhur botën në tërësinë e saj. Dhe, në të vërtetë, në të përshkruhen shumë më tepër pjesë të botës se kurrë më parë.

Për shekuj evropianët kishin besuar që bota përbëhej nga tri masa tokësore: Azia, Afrika dhe Evropa, me Jerusalemin në qendër. Kjo është arsyeja përse eksploratori dhe kolonizatori italian, Kristofor Kolombi (Christopher Columbus), kishte ndërruar jetë vetëm një vit më herët duke besuar se toka ku kishte zbarkuar në Amerikë ishte thjesht një pjesë tjetër e Azisë. Sidoqoftë, kjo hartë e re përmblodhi një të katërtën e botës për herë të parë. Në të majtë të Evropës tregohej një version i hollë i Amerikës së Jugut, me një territor në madhësi të vogël të Amerikës së Veriut sipër saj. Kontinenti i ri rrethohej nga uji dhe në pjesën që sot njihet si Brazili, hartuesit vendosën një emër: Amerika.

Ky gur kilometrik në hartografi njihet si Harta Waldseemuller, sipas emrit të humanistit gjerman që e ndërtoi. Por, Martin Waldseemuller ishte thjesht një nga grupi i akademikëve që Walter Lud, kreu i kishës së St-Dié-des-Vosges, mblodhi së bashku në këtë qytet. Lud ishte veçanërisht i interesuar në kozmografi – studimi i tokës dhe vendit të saj në univers – dhe dëshironte të krijonte një panoramë të tokës që kombinonte njohuritë e lashta me raportimet e reja që vinin nga udhëtimet që kryheshin atë kohë. Për këtë qëllim, siguroi financimin nga duka në Lorraine, René II, për të ngritur një medium printimi të quajtur “Gymnasium Vosagense”. Ai bashkoi një ekip që përfshinte Waldseemullerin dhe një tjetër humanist gjerman, Matthias Ringmann. Sipas studiuesve, Ringmann mori drejtimin e të shkruarit të një libri që u printua së bashku me hartën dhe pothuajse menjëherë vuri emrin Amerika.

Pak vizitorë kalojnë në St-Dié-des-Vosges, por shumë më pak e bëjnë rrugën deri në bibliotekën e tij, ku mes librave të rrallë ndodhet edhe një version i librit të printuar me hartën Waldseemuller të vitin 1507: “Hyrje në kozmografi”. Harta u printua në 12 fletë të ndara letre që u bashkuan në një sipërfaqe të sheshtë, ndërsa globi i referohet një versioni më të vogël që u printua për t’u ngjitur në një top, gjë që bëri histori si globi i parë në histori i printuar dhe që tregonte të kundërtën e versionit popullor se evropianët e dinin shumë mirë se bota ishte sferike e jo e sheshtë.

Teksti shpjegon edhe arsyen e emërtimit të kontinentit, që pretendohej se ishte zbuluar nga eksploratori italian, Amerigo Vespuçi (Vespucci). Meqënëse emrat e kontinenteve të tjera ishin femërore nga latinishtja -Evropa, Afrika, Azia – autori arsyetoi që edhe emri i kësaj toke të re duhej po ashtu të kishte të njëjtën gjini në “Amerika, sipas zbuluesit të saj”.

Amerika e mori emrin pra sipas Vespuçit. Këto fjalë ishin shkak për pakënaqësi në shekujt e ardhshëm. Nga frati spanjoll Bartolomé de la Casas, i cili në gjysmën e parë të shekullit të XVI-të tha se kjo ishte një “lëndim dhe padrejtësi ndaj Kolombit, udhëtimet e të cilit në Amerikat ishin më të hershme sesa ato të Vespuçit, e deri tek shkrimtari amerikan Washington Irving, i cili në vitin1809 shkroi për ‘intrigat mjeshtërore’ me të cilat fiorentinasit vodhën lavdinë e Kolombit”.

Por, edhe pse katër udhëtimet e Kolombit përmes oqeanit Atlantik nisën në vitin1492, kur ai ndeshi ishujt e Karaibeve, ai e preku tokën kontinentale vetëm në udhëtimin e tij të tretë në vitin 1498. Në të kundërt, sipas një letre që daton në vitin1504, shkruar nga Vespuçi për dukën Renè e që u printua në “Hyrje në Kozmografi” dhe që përshkruan katër udhëtimet e tij nga viti 1497 deri në vitin1504, ai e arriti tokën kontinentale një vit më herët sesa Kolombi. Historianët e kanë vënë në dyshim autenticitetin e kësaj letre, por hartografët Waldseemuller dhe Ringmann e morën letrën e Vespuçit si me vlerë të madhe dhe e bazuan emërtimin e kontinentit të ri mbi bazën e saj.

Emri i kontinentit nuk ishte pika e vetme e debatit që pasoi hartën. Pjesa më e madhe e debateve u përqendruan tek fakti që kontinenti i ri tregohej në hartë i rrethuar nga uji. Si e dinin hartografët në St-Dié-des-Vosges, në vitin 1507, që kishte ujë në anën tjetër të tokës që ndeshën Kolombi dhe Vespuçi? Sipas të dhënave, evropiani i parë që hodhën vështrimin mbi oqeanin Paqësor ishte eksploratori spanjoll, Vasco Nunez de Balboa, i cili e pa atë nga një majë mali në Panama, gjashtë vjet më vonë, në vitin 1513. Ishte thjesht hamendjesim apo hartografët kishin akses në informacionin e udhëtimeve të dyshuara portugeze në anën tjetër të kontinentit, mbajtur sekret për shkak se ata kishin kaluar në ujërat spanjolle? (Në vitin 1494, spanjollët dhe portugezët vendosën të ndajnë tërë botën në perëndim të Evropës midis tyre në traktatin e Tordesillas. Çdo gjë përtej atij që sot është Brazili ishte territor spanjoll, që përbën edhe arsyen përse Brazili është i vetmi vend që flet portugalisht në Amerikën e Jugut).

Një tjetër mister lidhet me vetë ekzistencën e hartës. Edhe pse njëmijë kopje të Hartës Waldseemuller u printuan në vitin 1507, ato u zhdukën shpejt. Në kundërshtim me librin, që u ruajt në biblioteka, hartat u përdorën në institucione arsimore dhe nuk zgjatën shumë. Entuziastë të hartës kërkuan me shekuj për to dhe u përpoqën ta rindërtojnë një hartë Waldseemuller bazuar në atë që shkruhet në libër. Më pas, një hartë u zbulua në vitin 1901 nga At Joseph Fischer, profesor i historisë dhe gjeografisë në Wolfegg Castle, Gjermani. Ishte harta që ndonjëherë i referohen si “certifikata e lindjes së Amerikës” që u ble nga Biblioteka e Kongresit e Shteteve të Bashkuara në vitin 2003 për një shumë të madhe, prej 10 milionë dollarësh.

Sidoqoftë, vlera e Hartës Waldseemuller nuk ka të bëjë thjesht me përshkrimin e botës apo emërtimin e Amerikës. Siç shpjegojnë ekspertët, harta ishte si një pjesë enciklopedie e cila kombinonte njohuritë e shumë njerëzve në hapësirë dhe në kohë.

Kjo ide përfaqësohet nga dy imazhe në majë të hartës: një e gjeografit grek, Ptoleme, që përfaqëson mënyrën e vjetër të të parit të botës dhe njohuritë e lashta, dhe tjetri i Vespuçit që përfaqëson një mënyrë krejt të re të të parit të botës.

Harta është certifikatë lindjeje për një botë që nisi të ekzistonte për evropianët në vitin 1492 – dhe një mandat vdekjeje për atë që ndodhej aty më parë. Së fundmi, Harta Waldseemuller na kujton se të gjitha hartat janë politike.

Duke vendosur veriun në majë të hartës, ku konvencionet e mëparshme vendosnin lindjen, dhe duke vendosur Evropën në mes, e bën hartën eurocentrike. Vendimi për të emërtuar një kontinent të tërë të banuar sipas emrit të një evropiani që shkoi atje, privilegjon perspektivën evropiane dhe ambicien e kohës.

Është një parashikim i mënyrës sesi europianët do të vijonin të merrnin nën zotërim tokat, burimet dhe njerëzit, duke fshirë kultura dhe duke vrarë miliona. /tesheshi/