Hardh Fest ka bërë publike shifrat zyrtare të raportit të ndikimit socio-ekonomik, realizuar në bashkëpunim me IDRA Research & Consulting.

Sipas raportit, Hardh Fest 2025 ka arritur të gjenerojë një qarkullim ekonomik prej 11.1 milionë euro bruto, ndërsa 7.7 milionë euro neto kanë përfunduar drejtpërdrejt në biznese, gastronomi, sektorin e verës dhe akomodimit në Komunën e Rahovecit.


60,000 pjesëmarrës dhe turistë nga Kosova dhe rajoni morën pjesë në festivalin 3-ditor.

Për çdo 1euro të investuar nga grantet apo sponsorizimet, ekonomia lokale përfitoi rreth 47.8 euro qarkullim. Nëse ky financim ndahet sipas burimeve, rezulton se për çdo 1 euro të investuar nga Komuna e Rahovecit janë gjeneruar rreth 220 euro në ekonomi, për çdo 1 euro nga grantet qeveritare rreth 183 euro, ndërsa për çdo 1 euro të sponzorizuar nga bizneset/private rreth 93.6 euro.

Përfituesit kryesorë ishin bizneset lokale, me rritje të ndjeshme në shitje dhe frekuentim.

Përveç ndikimit financiar, raporti vlerëson Hardh Fest si një platformë të rëndësishme kulturore që promovon trashëgiminë e Rahovecit, mikpritjen dhe industrinë e verës përmes muzikës live, artit, traditës dhe përfshirjes komunitare.