LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Vitin e ardhshëm lansohet programi për reforma ekonomike

Haradinaj: Vitin e ardhshëm lansohet programi për reforma ekonomike

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson , gjatë takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj në një konferencë të përbashkët për media, ka thënë se ka zhvilluar diskutime të përbashkët për përkrahjen e Kosovës.

Ai tha se marrëveshja financiare për IPA fondet, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian do të sjell shumë të mira për Kosovën.


“Falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kuvendin për një vendim të një rëndësie të veçantë. Kjo sjell shumë të mira si në ekonomi, sistemin e arsimit, administratë publike, menaxhimin e financave publike dhe strategjisë për energji”, ka thënë Danielson.
Ai po ashtu tha se do të vazhdojnë përkrahjen me këshillim dhe asistencë financiare.

Danielsson, foli edhe për sfidat që duhet t’i kalojë Kosova për t’i përmbushur kriteret për Liberalizimin e Vizave.

“Nëse flasim për operatorët ekonomik dhe do i pyesim se kush ndikon në vendin e punës ata do të thonin krimi dhe korrupsioni, të cilët janë kriter për liberalizimin e vizave”, ka thënë Danielson në një konferencë për media.

Ndërsa në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se vitin e ardhshëm do të bëhet lansimi i programit për reforma.
“Kosova ka ndërtuar agjendën e reformave evropiane. Sot fokusimi ishte në programin për reforma ekonomike dhe lansimin e këtij programi në vitin që vjen, ishte mundësi e mirë që të marrim nga zotëri Danielsson sugjerime dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, ai foli edhe për çështjen e energjisë ku tha se nuk do të jetë rritje të çmimit për konsumatorët. “Sa i përket çështjes së energjisë do të shkojmë për zgjidhje reale dhe në kohë. Nuk do të rezultojë kjo me rritje të çmimit për konsumatorët”, ka thënë Haradinaj në konferencën e mbajtur për media./Telegrafi/