Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur sërish sekser klasik deputetin Salih Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje.

Haradinaj këto komente i bëri në një konferencë për media.

“Salih Zyba është sekser klasik i cili ka marr përsipër në emër të partisë së vet trafikimin e votave. Kjo është e vërtetë dhe për këtë njerëzit janë gjallë, gjithë janë aty….nëse insiston e ballafaqojmë edhe me deputetët edhe me ata që u ka shku në shpi…”, tha Haradinaj.

Edhe ditë më parë, Haradinaj tha se Salih Zyba i LVV-së ishte sekseri për vota të Presidentes.

“Sali Zyba i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë sekseri për vota. Ai ka vizituar plot deputetë për vota”, ishte shprehur Haradinaj.

Lidhur me këtë kishte reaguar deputeti Zyba, duke i cilësuar këto deklarata të dëmshme dhe të pavërteta.

Ndërkaq, Haradinaj po ashtu komentoi edhe programin qeverisës të kryeministrit Kurti, për të cilën tha se fitorja i ka zënë të papërgatitur dhe se siç tha ai, AAK-ja nuk do të pengoj realizmin e punëve të kësaj qeverie, por do t’ju ndihmojnë.

“E kemi hetu që i ka zënë të papërgatitur në këtë fitore dhe punën që e kanë marr. Nuk kanë paraqit program qeverisë, nuk është qëllimi jonë që t’i pengojmë por t’ju ndihmojmë. Dëshirojmë t’i japim siguri Kurtit që ne do të ndihmojnë dhe mos t’i ikë përgjegjësisë”, ka thënë ai. /Telegrafi/