LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj kritika ndaj Qeverisë për gazsjellësin: Nuk e keni marrë besimin për ta kthyer Kosovën nga zero

Haradinaj kritika ndaj Qeverisë për gazsjellësin: Nuk e keni marrë besimin për ta kthyer Kosovën nga zero

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, lidhur me refuzimin e projektit të gazsjellësit.

Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet pikërisht për këtë çështje, tha se mbyllja e derës ndaj SHBA-së në kushte normale do të nënkuptonte se Qeveria ka alternativë shumë më të mirë sesa ky opsion.


“Projekt mjaft rëndësishëm. Mbyllja e derës ndaj aleatit tonë të përjetshëm në kushte normale do të nënkuptonte se qeveria ka një alternativë shumë më të mirë sesa të këtij opsioni. Në asnjë rrethanë ne nuk guxojmë të dyshojmë në projekte të argumentuara. Duke i ditur pengesat në zhvillim ekonomik dhe furnizimin e pamjaftueshëm me energji, është e logjikshme që t’i jepet garanci dhe të vazhdohet me projekte për gazsjellësin”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se Qeveria  po rrezikon të mos marrë përfitime nga një projekt i tillë.

“Nuk e di se si do të veproni në të ardhmen kryeministër për të kërkuar mbështetje nga aleatët për energjinë, kur e keni hedhur poshtë paarsyeshëm këtë projekt”, u shpreh Haradinaj.

Kreu i AAK-së më tej i është drejtuar Kurtit e Qeverisë se mendimi se vetëm ata i dinë proceset është duke shkaktuar dëme të pakthyeshme.

“Me siguri e dini se nuk e keni marrë besimin për ta kthyer apo nisur Kosovën nga zero. Keni marrë besimin t’i ecni përpara projektet, të ndërmerrni investime që hapin punësim e dyer të zhvillimit. Me sa e shoh unë, problemi është që ju nuk beson as në vete e pastaj as në aleatët”, ka thënë Haradinaj. /Telegrafi/