Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim delegacionin e investitorëve amerikanë, të kryesuar nga Michael Mintz, themelues dhe shef ekzekutiv i kompanisë “Squared Property Group LLC”, me të cilët ka biseduar mbi situatën aktuale ekonomike në vend, duke thënë se Kosova ka krijuar klimë tejet të favorshme për investimet e huaja.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj theksoi se me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, zvogëlimin e tarifave tatimore, reformat thelbësore në sundim të ligjit dhe ato fiskale, si dhe me ligjin për investime strategjike, Kosova ka hyrë në hartën e vendeve atraktive dhe të sigurta për investitorët e huaj.

“Kosova tashmë e ka Ligjin për Investime Strategjike, që krijon lehtësira dhe kushte të mira për investitorët e huaj. Janë themeluar tri zona të veçanta ekonomike të gatshme për të pritur investitorët e huaj”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke përmendur edhe projektet e mëdha energjetike, ato të energjisë alternative.

Ndër tjerash, gjatë bashkëbisedimit me këtë delegacion, Haradinaj shtoi se Kosova tashmë është kthyer në një adresë të besueshme për investime amerikane.

Nga ana e tyre, delegacioni i investitorëve amerikanë shprehen gatishmërinë e bashkëpunimit mes tyre. /Telegrafi/