Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kërkon nga Qeveria që të bëhet pagesa e subvencioneve për fermerët.

Haradinaj me anë të një shkrimi në Facebook, thotë se vonesat e pagesave të këtyre pagesave po dëmton sektorin e bujqësisë.

“Kjo Qeveri ka vonuar për dy muaj Pagesat Direkte në bujqësi, pagesë të cilën bujqit dhe blegtorët e kanë të garantuar me ligj (Ligji Nr. 03/L-098 dhe Ligji Nr. 04/L-090). Çfarëdo ndryshimi apo ristrukturimi në këtë gjendje dhe me këto vonesa është i pa arsyeshëm pasi që pamundëson veprimtaritë bujqësore. Qasja e Qeverisë së Kosovës po e dëmton sektorin e bujqësisë, si sektor bazë i ekonomisë, që edhe në kushte normale do të kishte shkaktuar regres në ekonomi”, shkruan Haradinaj, përcjell Telegrafi.

Ai kërkon që sa më shpejtë Qeveria të bëjë pagesën e subvencioneve për vitin 2021.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të merr masa në implementimin e plotë të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për Pagesat Direkte për bujqësi dhe gjithashtu t’i shpërndajë menjëherë pagesat e rregullta direkte për vitin 2021, që mos të e pamundësoj edhe më tutje funksionimin e aktiviteteve bujqësore, të cilat do të kenë efekt negativ zinxhiror në të gjithë ekonominë e vendit”, përfundon ai. /Telegrafi/