LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: I kemi thënë Adem Jasharit “bac u kry”, por pas 15 vitesh ende s’është kry

Haradinaj: I kemi thënë Adem Jasharit “bac u kry”, por pas 15 vitesh ende s’është kry

“Dikur i kemi thënë komandantit tonë legjendar, Adem Jashari; Bac, u kry, por ende nuk është kry. Jemi në proces.” 

Kjo ishte përgjigja e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj kur u pyet nëse sot, pas 15 vitesh, pavarësia e Kosovës është e plotë.


Në një intervistë të dhënë për A2 CNN në 15-vjetorin e Pavarësisë, ish-komandanti i UÇK-së tha megjithatë se Kosova është kjo që është sot falë shqiptarëve dhe ndihmës së ndërkombëtarëve.

Ndër të tjera, Haradinaj u ndal te çështjet e sigurisë së Kosovës, por edhe te proceset dialoguese me Serbinë. Ish-kryeministri theksoi se në aspektin e sigurisë së brendshme, Kosova ka disa vështirësi.

“Kemi një kujdestari për siguri që është nga NATO. Kjo kujdestari është më e gjerë. Duke mbetur ende çështja e sigurisë, në disa raste e kemi të ndërlidhur punën tonë për zbatimin e rendit dhe të ligjit. Që të sigurojmë rendin dhe ligjin tonë gjithnjë na duhet një mburojë e madhe.”

Haradinaj pati edhe disa kritika për kryeministrin Albin Kurti. Sipas tij, kreu i qeverisë ka gabuar duke sekuencuar dialogun me Serbinë.

“I kam kërkuar në takime që të mos lejojë sekuencime nga tema në temë. Kërko bashkimin e të gjitha temave në një vendim. Çështja e implementimit pas marrëveshjes mund të humbë peshë.”

Edhe mënyra sesi u trajtua situata e tensionuar në veri, sipas tij, nuk ishte e duhura.

“Serbët vijojnë ta bindin botën se duhen garanci, jashtë Kushtetutës sonë për të garantuar sigurinë e serbëve në veri. Ne themi që Kushtetuta jonë është garancia e mjaftueshme.”