LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Kemi nevojë për investime të huaja në Kosovë

Haradinaj: Kemi nevojë për investime të huaja në Kosovë

“Ne kemi nevojë për investime të huaja në Kosovë, por investimet e huaja i sjellin shembujt e suksesshëm të investitorëve tanë, sikur rasti i “M-Technologie”. Ky vërtet është një shembull i suksesshëm”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite pune që ka zhvilluar në fabrikën e prodhimit dhe përpunimit të xhamit “M-Technologie”, ku është pritur nga drejtori i kësaj fabrike, Rrustem Pacolli, me bashkëpunëtorë.

Haradinaj, tha se kjo fabrikë është më e mira e kësaj natyre jo vetëm në Kosovë, por ndër më të mirat në Evropë dhe botë.


“Shohim parametra më të mirë të mundshëm në këtë teknologji. Prodhimet e kësaj kompanie arrijnë dhe janë të pranuara në të gjitha tregjet e botës”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke përgëzuar për punën që bën dhe për 200 të punësuar, kryeministri Haradinaj tha se “M-Technologie”, është ndër 9 eksportuesit më të mëdhenj të vendit.

“Jam i inkurajuar me punën që bëjnë, edhe pse kanë disa vështirësi, siç është ajo me ngrohjen e hapësirës së kompanisë, e cila ka mbi 20 mijë metra katrorë” tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është bërë lirimi në lëndën e parë dhe në pajisjet për prodhim, por nuk është arritur të bëhet lirimi për mazutin dhe se edhe ky aspekt do të trajtohet me kujdes.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se duke qenë një kompani e cila po ecë sigurt përpara, Qeveria do të jetë pranë tyre në çdo kohë.

Drejtori i kësaj fabrike, Rrustem Pacolli, falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën që i ka bërë kompanisë, duke thënë se kjo tregon për mbështetjen e madhe dhe gatishmërinë e kryeministrit për të qenë afër bizneseve të vendit. /Telegrafi/