ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Prizreni është bërë me një destinacion të ri për blerje, gastronomi dhe shërbime, me hapjen e South Park, një qendër moderne e vendosur në hyrje dhe dalje të pjesës jugore të qytetit, përgjatë autostradës "Ibrahim Rugova".

E konceptuar si një ndalesë e përshtatshme për udhëtarët, familjet, turistët dhe bizneset, South Park synon të ofrojë një përvojë të plotë, duke bashkuar komoditetin, shërbimet dhe hapësirat tregtare në një lokacion të vetëm.




Sipas drejtorit të marketit "Mexer", Ylber Morina hapja e kësaj qendre është një investim i rëndësishëm jo vetëm për Prizrenin, por edhe për rajonin.

"Hapja e kësaj qendre tregtare është më se e nevojshme jo vetëm për qytetarët e Prizrenit, por edhe për Gjakovën, Suharekën, Rahovecin, Malishevën, si dhe për vizitorët nga Shqipëria, veçanërisht nga zona e Kukësit. Prizreni është një nga qytetet më të vizituara në Kosovë dhe ky investim synon të lehtësojë qarkullimin drejt qendrës së qytetit, duke u ofruar vizitorëve një hapësirë ku mund të gjejnë gjithçka në një vend", tha Morina.

Sipas tij, brenda South Park funksionojnë rreth 30 njësi tregtare, që përfshijnë restorante dhe kafiteri, markete, butikë, pika shërbimi, derivate të naftës dhe kategori të tjera biznesesh, duke u mundësuar konsumatorëve të kryejnë blerjet dhe shërbimet e nevojshme pa pasur nevojë të lëvizin në lokacione të ndryshme.

Edhe qytetarët që vizituan qendrën në ditën e hapjes e vlerësuan pozitivisht investimin, duke e cilësuar atë si një mundësi të re për Prizrenin dhe rrethinën.

"Kjo është një mundësi shtesë për qytetarët e Prizrenit. Është hera e parë që kemi një koncept të tillë, me një market modern dhe produkte të reja", u shpreh një qytetare.

Ndryshe, qendra shtrihet në një sipërfaqe prej mbi 13,600 metra katrorë dhe ofron rreth 550 parkingje për vetura, 11 parkingje për autobusë dhe 15 parkingje për minibusë, duke krijuar kushte të favorshme si për vizitorët individualë ashtu edhe për grupet turistike dhe udhëtarët që kalojnë në këtë aks rrugor.

Falë pozicionit strategjik përgjatë autostradës "Ibrahim Rugova", South Park pritet të shërbejë si një pikë e rëndësishme ndalese për turistët vendas e të huaj, si dhe për mijëra udhëtarë që kalojnë çdo ditë në këtë pjesë të Kosovës. /Telegrafi/