Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besiana Musmurati ka njoftuar se në lagjen Bregu i Diellit është hapur një kënd i ri lojërash për fëmijë, i dedikuar për fëmijët, familjet dhe komunitetin e kësaj zone.

Në hapjen e kësaj hapësire morën pjesë edhe drejtoresha për Parqe dhe Hapësira Publike, Albana Gjonbalaj, si dhe banorë të lagjes, të cilët e mirëpritën krijimin e një hapësire të re rekreative.


Musmurati tha se hapësirat publike marrin kuptim kur ato mbushen me jetë, lojë dhe buzëqeshje, duke theksuar rëndësinë e krijimit të ambienteve të sigurta dhe funksionale për qytetarët.

Ajo bëri të ditur se Komuna e Prishtinës do të vazhdojë investimet në lagje të ndryshme, me qëllim që qytetarët të kenë më shumë parqe, hapësira publike dhe vende ku komuniteti mund të takohet e të kalojë kohë së bashku. /Telegrafi/