SHBA-ja pezullon terminet për viza për aplikantët në mbarë botën

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka pezulluar terminet për viza për aplikantët në mbarë botën.
Vendimi është pjesë e një fushate të vazhdueshme të Qeverisë amerikane për ashpërsimin e politikave të emigracionit gjatë mandatit të dytë të udhëheqësit republikan në Shtëpinë e Bardhë.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se ka nisur një iniciativë për trajnimin e stafit në të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën dhe se terminet për shërbimet e vizave do të përshtaten për t’iu mundësuar punonjësve pjesëmarrjen në trajnim.
Trump ka ndjekur një politikë për dëbimin e emigrantëve dhe ashpërsimin e politikave të emigracionit, e cila përfshin revokimin e vizave dhe vizës së njohur si Green Card, si dhe refuzimin e aplikimeve për një sërë arsyesh, përfshirë qëndrimet politike dhe protestat propalestineze kundër fushatës ushtarake të Izraelit, aleatit të SHBA-së, në Gazë.
Ai argumenton se kjo fushatë synon përmirësimin e sigurisë së brendshme. Megjithatë, masat e ndërmarra nga administrata amerikane janë përballur me disa pengesa ligjore.
Ditë më parë, një gjykatë në SHBA rrëzoi një vendim të administratës Trump që pezullonte lëshimin e vizave për migrantët nga 75 shtete – përfshirë nga Kosova – duke thënë se një politikë e tillë përbënte tejkalim të kompetencave ligjore të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Departamenti i Shtetit nuk dha detaje për trajnimin që do të realizojë apo edhe afatet se kur do të mbahet, vetëm tha se ky trajnim synon t’i ndihmojë zyrtarët konsullorë të përjashtojnë aplikantët që vlerësohet se mund të bëhen të varur nga përfitimet publike në SHBA, si dhe të sigurojë që vlerësimi i aplikantëve për viza të bëhet “në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të njëtrajtshme”.
Pezullimi i termineve për viza u raportua fillimisht nga Financial Times, që tha se aplikantët për viza imigruese që kishin intervista të caktuara në ambasadat dhe konsullatat amerikane kishin pranuar email-e ku njoftoheshin se takimet e tyre po riplanifikoheshin dhe se do të njoftoheshin më vonë për një datë të re.
Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare. /rel/






































