Një shtëpi është e përfshirë nga zjarri në orët para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Selman Lokaj” në lagjen Matiçan të Prishtinës.

Rastin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se incidenti për zjarrin është raportuar rreth orës 01:00.


Ahmeti përmes një përgjigje me shkrim tha se janë shkaktuar dëme materiale dhe se tashmë Policia dhe Prokurori i Shtetit po marrin veprimet e nevojshme.

"Sot zyrtarët e stacionit policor jugu në Prishtinë janë angazhuar në një incident zjarri të raportuar rreth orës 01:00, ku janë shkaktuar dëmeve materiale. Policia në koordinim me Prokurorin e shtetit po ndërmarrin veprimet e mëtejme", tha Ahmeti.

Në këtë incident janë përfshirë edhe tri vetura, e reagimi i zjarrfikësve ka qenë i menjëhershëm.

Kështu tregoi për KosovaPress, komandanti i Zjarrëfikësve në Prishtinë, Malë Gashi.

"Sipas raportit që e kam parë, janë përfshirë tri vetura. Edhe pjesa ku kanë qenë të parkuara, reagimi ka qenë i shpejtë edhe kanë arritur me lokalizuar dhe me fikur zjarrin. I menjëhershëm ka qenë dhe për fat që kanë reaguar shpejt e kanë kapur në atë fazë të zhvillimit të zjarrit", tha Gashi.

KosovaPress ka shkuar në vendin e ngjarjes mirëpo pronari dhe familjarët nuk pranuan të prononcohen për rastin.