Drenasi do të përfitojë 3 milionë e 10 mijë euro për realizimin e Projektit të Banimit Social Adekuat.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, e cila ka njoftuar se marrëveshja për realizimin e projektit është nënshkruar me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci.


“Me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, nënshkruam marrëveshjen për realizimin e Projektit të Banimit Social Adekuat”, ka shkruar Pacolli-Dalipi.

Sipas saj, në kuadër të projektit do të ndërtohen 36 njësi të reja të banimit social.

“Me investim prej 3 milionë e 10 mijë euro, në Drenas do të ndërtohen 36 njësi të reja të banimit social, ndërsa do të renovohen 15 dhe rindërtohen 7 shtëpi private për familjet e cenueshme”, ka deklaruar ajo.

Pacolli-Dalipi ka bërë të ditur se projekti do të financohet tërësisht nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në total, sipas ministres në detyrë, përmes këtij projekti do të përfitojnë 58 familje apo banesa.

“Gjithsej, 58 familje/banesa do të ndihmohen përmes këtij projekti, duke krijuar mundësi të reja për banim të denjë dhe përmirësuar kushtet e jetesës për familjet në nevojë”, ka shkruar Pacolli-Dalipi. /Telegrafi/