Kampioni Botëror i Formula 1 ka nisur me dominimin e Mercedesit. Në pistën e Melbournit, dy pilotët e skuderisë kampione të botës, Lewis Hamilton dhe Valtteri Bottas, pushtuan vijën e parë të startit të garës që do të zhvillohet të dielën, pasi regjistruan kohët më të shpejta nga këto kualifikuese.

Britaniku, kampioni në fuqi i botës, e përshkoi pistën australiane në këto prova me kohën 1 minutë 20 sekonda e 486 të mijtat duke fituar ‘pole positionin’ e 84 në karrierë dhe të gjashtin radhazi në Melbourne.

Tre pilotët që do ta nisin garën për Çmimin e Australisë nga vendet e para (Foto: Getty Images/Guliver)

I vetmi që i hapi probleme britanikut, ishte pikërisht shoku i tij i skuadrës, Valteri Bottas, që ishte vetëm 112 të mijtat larg tij – transmeton Top Channel.

Pas finlandezit, në vendin e tretë u rendit piloti i Ferrarit, Sebastian Vettel, me 702 të mijtat më shumë se Hamilton, i ndjekur në të katërtin nga Max Verstappen i Red Bull, me holandezin që vetëm në çastet e fundit la pas Charles Leclerc duke i rrëmbyer vendin në vijën e dytë të startit.

Të gjitha lajmet nga Formula 1 Të gjitha lajmet nga Formula 1

Një paraqitje shumë të mirë në këto prova bënë dy pilotët e skuadrës Haas, Romain Grosjean e Kevin Magnussen që u pozicionuan në vendin e gjashtë dhe të shtatë, respektivisht.

Në dhjetëshen e pilotëve më të mirë të kualifikueseve ishin edhe Kimi Raikkonen me Alfa Romeo dhe Sergio Perez me Racing Point, ndërkohë që pilotët e Renaultit, Nico Hulkenberg e Daniel Ricciardo, i mbyllën provat zyrtare respektivisht në vendin e 11 dhe të 12.