LAJMI I FUNDIT:

“Hacking Urban Space” nga DokuFest, Anibar dhe Termokiss

“Hacking Urban Space” nga DokuFest, Anibar dhe Termokiss

A munden filmat ta ndryshojnë shoqërinë? Ndoshta, sepse filmat dokumentarë mund t’i frymëzojnë njerëzit për të vepruar dhe për të bërë ndryshime në shoqërinë ku jetojnë.

DokuFest, Anibar dhe Termokiss i kanë bashkuar forcat që përmes projektit “HACKING URBAN SPACE” të sjellin një seri të filmave që përqendrohen kryesisht në sfidat e efikasitetit në strategjitë urbane, rritjen e popullsisë, transportin e ngulfatur, mjedisin dhe problemet e tjera të veçanta me të cilat ballafaqohen tri qytetet më të mëdha të Kosovës: Prishtina, Prizreni dhe Peja.

Ky program u dedikohet studentëve të Universiteteve dhe nxënësve të Shkollave të Mesme të Larta të këtyre qyteteve të cilët në fund të çdo cikli do të kenë mundësinë të debatojnë për këto sfida me vendimmarrësit e qeverive përkatëse lokale, si dhe planet e tyre në përfshirjen e komuniteteve lokale dhe aktivistëve për një menaxhim më të mirë të hapësirave publike.

Cikli i parë i filmave fillon me 5 mars me shfaqjen e filmit “CITIZEN JANE”, një aktiviste që lufton për t’i mbrojtur komunitetet urbane përballë projekteve destruktive zhvillimore në New York. Në përfundim të këtij cikli do të shfaqet filmi “SKOPJE 2014” që është një vështrim vizual i ndërhyrjes së egër për të ndryshuar karakterin urban të qytetit nga ai modernist socrealist në pothuajse “stil të ri barok dhe neoklasik”.

Programi i filmave do të përfshijë projektet filmike që do të nxisin debatin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në kohërat e urbanizimit të shpejtë përmes filmit “ECUMENOPOLIS: CITY WITHOUT LIMITS”, për të vazhduar me diskutimin për modernizimin e qyteteve përmes vendosjes së njerëzve në qendër të planifikimit zhvillimor të cilës do t’i paraprijë shfaqja e filmit “HUMAN SCALE”.

dy ciklet e fundit do të sjellin filmat dokumentarë “BIKES vs. CARS” për të promovuar çiklizmin si mjet transporti ditor dhe për të diskutuar qeveritë lokale nuk kanë bërë aq shumë në krijimin e infrastrukturës urbane që i jep përparësi çiklizmit kundrejt makinës. Seria e diskutimeve dhe shfaqjeve do të përmbyllet me shfaqjen e filmit ”BOGOTA CHANGE”, që do të sjell rrëfimin për kryetarin e Bogotës i cili përmes metodave të pazakonta të qeverisjes i mësoi qytetarët të jetojnë së bashku dhe të marrin përgjegjësi.

Filmat do të shfaqen në kinematë “DokuKino” në Prizren, “Jusuf Gërvalla” në Pejë, përderisa lokacioni në Prishtinë do të kumtohet së shpejti.

Ky projekt implementohet nga DokuFest në partneritet me Anibar dhe Termokis dhe është përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë. /Telegrafi/