Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka njoftuar se do të padisë administratën e presidentit amerikan, Donald Trump për dërgimin e Gardës Kombëtare në Los Angeles.

Duke folur për Fox News, Newsom deklaroi se “ka një arsye pse nesër shkojmë në gjykatë”, dhe shtoi se është i bindur në suksesin e padisë.


Në një intervistë për MSNBC, ai shpjegoi se padia do të kundërshtojë urdhrin ekzekutiv të Trumpit, me të cilin ai federalizoi Gardën Kombëtare të Kalifornisë pa u konsultuar me autoritetet shtetërore.

“Në atë urdhër thuhet qartë – si edhe në dokumentin që ka lëshuar Pentagoni – se duhet të ketë koordinim me guvernatorin e shtetit përkatës. Ata nuk e kanë bërë këtë”, tha Newsom.

Në platformën X, ai shtoi se “pikërisht këtë donte Donald Trump. Ai i hodhi benzinë zjarrit dhe në mënyrë të paligjshme federalizoi Gardën Kombëtare. Urdhri që firmosi nuk vlen vetëm për Kaliforninë. I jep atij mundësinë ta bëjë të njëjtën gjë në ÇDO shtet tjetër. Po e çojmë në gjykatë”.

Në të njëjtën intervistë, ai e quajti ministrin e Mbrojtjes së Trumpit, Pete Hegseth – i cili më parë ishte edhe prezantues në Fox – “si njeri joserioaz”.

Ndryshe, protestat filluan të premten pasi u zbulua se oficerët e Zbatimit të Doganave të Imigracionit (ICE) po kryenin bastisje në të gjithë qytetin. /Telegrafi/