LAJMI I FUNDIT:

Guvernatori i Bundesbankës gjermane i jep ultimatum Bankës Qendrore Evropiane

Guvernatori i Bundesbankës gjermane i jep ultimatum Bankës Qendrore Evropiane

Nëse niveli i inflacionit nuk ulet deri në muajin mars, guvernatori i Bankës Federale të Gjermanisë (Bundesbank), Joachim Nagel tha se do të insistonte që Banka Qendrore Evropiane (BQE) të marrë masa.

Ultimatumi i tij vjen pasi ekspertët parashikuan vazhdimin e normave të larta të inflacionit.

“Nëse situata nuk ndryshon deri në muajin mars, unë do të bëj presion për ta rikthyer politikën monetare në normalitet. Ashtu siç e shoh, kostot ekonomike janë shumë më të larta nëse veprojmë shumë vonë sesa nëse veprojmë herët”, tha Nagel për Die Zeit, përcjell Telegrafi.


Komentet e Nagelit erdhën pasi ekspertët e Bundesbankës arritën në përfundimin se normat e inflacionit do të qëndronin “dukshëm mbi 4 për qind” gjatë gjithë vitit.

Nagel i bëri thirrje BQE-së të rrisë normat e interesit dhe të ndalojë blerjet e obligacioneve qeveritare dhe atyre private.

Deri më tani, zyrtarët e BQE-së i kanë qëndruar besnik politikës së normave të ulëta të interesit dhe blerjes së obligacioneve edhe përballë rritjeve të fundit të çmimeve.

Bundesbanka ka qenë e njohur për kundërshtimin e politikave të BQE-së, duke kërkuar kontroll të rreptë të inflacionit. /Telegrafi/